Kredia për banesa. Kriza e Covid-19 e futi në stanjacion në tremujorin II
Kredia për blerjen e banesave ra në stanjacion gjatë tremujorit të dytë të vitit, çka tregon se ky segment dhe tregu i pasurive të paluajtshme në përgjithësi është prekur ndjeshëm nga efektet e epidemisë së Covid-19. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia për blerje banesash nga individët në mesin e këtij viti ishte 120.9 miliardë lekë, rreth një miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e muajit mars. Kredia ka rënë pavarësisht se gjatë këtyre muajve amortizimi i portofolit është ngadalësuar, për shkak të shtyrjes së një pjese të madhe të kësteve.
Mbyllja e ekonomisë duket se ka dhënë një goditje të menjëhershme në tregun e pronave, për shkak të bllokimit të transaksioneve, i ndikuar së pari nga kufizimet objektive, por edhe nga pasiguria për të ardhmen.
Megjithatë, me bazë vjetore tendenca e portofolit të huasë për banesa ngelet pozitive. Krahasuar me një vit më parë, portofoli ngelet në rritje me rreth 7.3%.
Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët është tashmë produkti kryesor i kredisë bankare dhe përbën rreth 21.5% të gjithë portofolit të kredisë për ekonominë.
Bankat e kanë promovuar ndjeshëm këtë produkt në vitet e fundit, si pjesë e rëndësishme e përpjekjes për të diversifikuar huadhënien nga bizneset tek individët. Si produkt afatgjatë, kredia për blerje banesash mundëson rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë në kohë. Kredia për shtëpi ka gjithashtu edhe raportin më të ulët të kredive me probleme mes gjithë produkteve të kredisë bankare. Normat e ulëta historike të interesit e kanë bërë këtë produkt më tërheqës dhe të arritshëm për familjet.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.