Kredia për biznesin, dobët edhe 2016-a. Bën dallim industria përpunuese
Kreditimi i biznesit rezultoi sërish i vakët gjatë vitit 2016. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë për sipërmarrjet private zbriti në 343 miliardë lekë, nga 346 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit 2015.
Dobësia e kreditimit në këtë segment tregon se sistemi bankar po vazhdon të tregohet mjaft i kujdesshëm, por sigurisht që oferta e shtrënguar nuk është i vetmi faktor. Kërkesa e shëndetshme për kredi ende nuk është rimëkëmbur plotësisht, pas goditjes së krizës sidomos në ndërmarrje dhe sektorë strategjikë.
Gjithashtu, duke thënë se shifrat e kredisë janë pastruar nga kreditë e humbura, proces ky që në dy vitet e fundit, ka dhënë një efekt të ndjeshëm në tkurrjen e portofolit total të kredisë për sipërmarrjen. Shifrat tregojnë se kreditimi është në rënie për shumicën e sektorëve, megjithatë, ka edhe përjashtime të rëndësishme. Kreditimi i industrisë përpunuese është rritur me 8.6% dhe ka arritur në fund të vitit të kaluar një vlerë totale prej afro 60 miliardë lekësh.
Një ecuri pozitive shfaqi edhe dega e hoteleve dhe restoranteve, me një rritje vjetore të kreditimit me 7.5%. Mes sektorëve të tjerë me peshë në kreditim ecuria është përgjithësisht negative.
Në rënie paraqiten tregtia, ndërtimi, industria nxjerrëse dhe bujqësia, ndërsa kreditimi i sektorit energjetik paraqitet pothuajse në vlera të pandryshuara krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.