Kredia për biznesin e madh – Ngelet në rënie edhe për vitin 2018
Kredia për biznesin e madh është në rënie edhe gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill kredia për biznesin e madh kishte vlerën e 185 miliardë lekëve, në rënie me 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat dëshmojnë se kredia korporative ngelet ende segmenti më problematik i huadhënies. Në vrojtimet e aktivitetit kreditues, në vazhdimësi bankat raportojnë standarde të shtrënguara të kredisë për biznesin e madh.
Duke pasur parasysh nivelet ende të larta të kredive me probleme dhe mungesën e një konsolidimi të aktivitetit ekonomik në vend, bankat ende hezitojnë të marrin përsipër ekspozime të mëdha.
Dështimet e shumë prej kredive korporative kanë shkaktuar probleme të mëdha për bankat në dekadën e fundit. Sidoqoftë, përveç ofertës së bankave, kriza ka prekur edhe kërkesën në segmentin e korporatave.
Disa korporata të rëndësishme kanë falimentuar, duke e ulur kërkesën potenciale për kredi në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare.
Sipas të dhënave më të fundit, raporti i kredive me probleme për bizneset është rreth 17%. Megjithëse përmirësimet në vitet e fundit, kryesisht falë fshirjes së kredive të humbura, cilësia e portofolit të biznesit është problematike.
Raporti i kredisë me probleme për bizneset është mbi dy herë më shumë krahasuar me kredinë për individë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.