Kredia për biznesin – Prek vlerat më të ulëta në 6 vjet

Kredia për biznesin ka prekur nivelet më të ulëta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tkurrja e portofolit të huasë së sipërmarrjeve private ka vijuar edhe në gjysmën e parë të këtij viti.
Në fund të qershorit, sasia e huasë bankare në përdorim të biznesit ishte 333 miliardë lekë.
Vlera e portofolit ka rënë me 10 miliardë lekë të tjera që nga fillimi i vitit. Kredia për biznesin ka aktualisht vlerën më të ulët që nga mesi i vitit 2011.

Veç ngërçit të kreditimit të ri, ky portofol në dy vitet e fundit është tkurrur mjaft edhe nga procesi masiv i fshirjes së kredive të humbura.
Vlerësohet se në dy vjet, bankat kanë nxjerrë jashtë bilancit afro 300 milionë euro kredi të humbura, që në pjesën më të madhe i takojnë pikërisht sipërmarrjeve.
Problematika e gjatë e kredive me probleme është bërë edhe një faktor madhor frenues në kreditimin e biznesit.
Të gjitha vrojtimet e aktivitetit kreditues në vitet e fundit tregojnë se bankat janë shumë konservatore në kreditimin e biznesit, sidomos të biznesit të madh.
Por, zhvillimet e viteve të krizës kanë goditur ndjeshëm edhe kërkesën, sidomos për shkak të dështimit të disa kompanive të rëndësishme, çka i ka hequr sistemit bankar klientë të mëdhenj dhe strategjikë.
Megjithëse treguesit e besimit duken në përmirësim, ashtu si edhe parametrat kryesorë makroekonomikë, sërish nisma investuese e biznesit ngelet e zbehtë; ashtu si edhe gatishmëria e bankave për të marrë përsipër rreziqe të mëdha është kuptueshëm e ulët.
Një faktor i përkohshëm që nuk ka favorizuar rritjen e kreditimit në gjysmën e parë të këtij viti ishin edhe zgjedhjet e përgjithshme dhe tensionet politike në muajt para tyre.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.