Kredia për ekonominë – Jep shenja të daljes nga stanjacioni

Portofoli i kredisë për ekonominë po jep shenja të daljes nga stanjacioni. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit maj portofoli i kredisë për ekonominë arrit në afro 549 miliardë lekë, 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë një muaji, totali i kredisë bankare u rrit me mbi tre miliardë lekë.
Rritja e kredisë ishte e shpërndarë në të gjitha kategoritë kryesore të klientëve, çka ndoshta dëshmon shenja të një përmirësimi të ngadaltë, por të qëndrueshëm të tregut. Veçanërisht domethënëse është kthimi i rritjes pozitive në portofolin e bizneseve. Kredia për sipërmarrjet private ka arritur në 327 miliardë lekë, në rritje me 2.5% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Huadhënia në segmentin e biznesit përbën rreth 60% të portofolit total të kredisë dhe për momentin ka një rol përcaktues në rritjen e kreditimit të ekonomisë shqiptare. Pas një procesi disavjeçar të pastrimit të portofolit nga kreditë e këqija dhe ngadalësimi drastik të kredisë së re, ky segment i tregut në në fund duket se po gjen një farë frymëmarrjeje.
Nga ana tjetër, kredia për individët po konfirmon edhe këtë vit vijimësinë e ciklit të rritjes pozitive. Në fund të majit, portofoli i kredisë për familjet shqiptare arriti në 188.3 miliardë lekë, në rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti është shprehur optimiste për rritjen e kreditimit e ekonomisë. Në veçanti, mbyllja e ristrukturimit të sistemit përmes disa shitblerjeve të rëndësishme, pritet ta kthejë fokusin e bankave drejt zgjerimit të biznesit dhe të rrisë ofertën për kredi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.