Kredia për individë – Kushte të favorshme dhe konkurrencë e lartë
Kredia për individët është segmenti më dinamik i huadhënies për sistemin bankar shqiptar. Prej vitesh, ritmet e rritjes në këtë segment janë më të larta krahasuar me atë të biznesit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars kredia për individë ishte në rritje me 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe e nxjerrjeve jashtë bilancit, rritja vjetore e kredisë për individë arrin në 8.4%. Amalda Reçi, drejtore e Drejtorisë së Riskut të Kredisë për Individë në Credins Bank, thotë se mes bankave ka një konkurrencë në rritje në këtë segment. Formalizimi i pagave e ka bërë më të lehtë analizën kreditore të individëve, ndërkohë që cikli i normave të ulëta të interesit iu ka krijuar bankave mundësinë për të ofruar çmime mjaft të favorshme.
Tek individët, raporti i kredive me probleme është ndjeshëm më i ulët krahasuar me bizneset. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2017 ky raport për sistemin bankar ishte 7.6%, pothuajse sa gjysma e raportit mesatar të kredive me probleme. Zonja Reçi thotë se ky tregues për Credins Bank është në nivele të ulëta dhe në përmirësim të mëtejshëm.
Bankat po tentojnë të rrisin biznesin e tyre në segmentin e individëve, sidomos në kategorinë e klientëve pagamarrës. Zonja Reçi thotë se Credins Bank synon të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh dhe produktesh për këta klientë, duke përfshirë këtu edhe produktet kreditore klasike, si kartat e kreditit.
Bankat ndërkohë vlerësojnë projektin për ngritjen e një Byroje të Kredisë, që do të mundësojë një informacion edhe më të hollësishëm për kredimarrësit dhe do të lehtësojë më shumë vendimmarrjen e bankave në nivelin e analizës së rrezikut.
Ndërkohë, Credins Bank po punon në përmirësimin e kanaleve të bankingut bashkëkohor. Së fundmi, banka ka rinovuar platformat e saj të bankingut përmes internetit dhe telefonit celular. Valbona Dhjaku, drejtore e departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Credins Bank, thotë se forcimi i shërbimeve përmes internetit është një nga prioritetet kryesore të bankës.
Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin ka regjistruar një rritje të fortë gjatë vitit 2017. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tashmë janë 322 mijë llogari që aksesohen përmes shërbimit të internet banking, 54% më shumë krahasuar me vitin 2016. Rritja është e ndjeshme edhe në shkallën e përdorimit të shërbimit. Në vitin 2016, vetëm 6% e llogarive aksesoheshin nga interneti, ndërsa në fund të vitit 2017 ky raport ka arritur në 10.3%. Ndonëse Shqipëria vazhdon të ketë një prapambetje në këto shërbime, në vitet e fundit po bëhen përparime domethënëse, edhe falë një përmirësimi gradual të kulturës financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.