Kredia për shtëpi – 22 milionë euro në dy muaj

Në dy muajt e parë të këtij viti, sistemi bankar ka dhënë tre miliardë lekë ose 22 milionë euro kredi të reja për blerje të pasurive të paluajtshme nga individët.
Sipas të dhënave nga Bankave e Shqipërisë, tregu i kredisë hipotekare është në rritje. Kredia e re për këtë qëllim rezulton në rritje me 11% krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar.
Rritja e kredisë për pasuri të paluajtshme, kryesisht banesa, reflekton një politikat agresive të bankave në këtë segment, të mundësuara sidomos nga ulja drastike e normave të interesit.
Normat e ulëta të interesit dhe çlirimi i ofertës po josh më shumë familje të blejnë një shtëpi të tyren, duke i dhënë një shtysë edhe tregut të pasurive të paluajtshme.
Veçanërisht në zonat periferike të Tiranës, çmimet janë korrektuar gjatë viteve të fundit, kur tregu i pronave ndjeu pasojat e krizës.
Ndërthurja e çmimeve më të ulëta me kushtet e favorshme të financimit kanë sjellë një gjallërim në tregun e banesave gjatë vitit 2016, tendencë që pritet të vijojë edhe këtë vit.
Sipas ekspertëve, blerja e një pasurie të paluajtshme tani mund të jetë një investim shumë i leverdisshëm, jo vetëm për shkak të interesave të ulët të kredisë, por edhe pritshmërive për një rritje të çmimeve gjatë viteve në vijim.
Agjentët besojnë se çmimet do të rriten me të paktën 10% për Tiranën, ndërsa për zonat afër qendrës rritja e çmimeve do të jetë edhe më e lartë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.