Kredia për shtëpi arriti në 105 miliardë lekë në Janar

Kredia për blerje banesash arriti në 105 miliardë lekë në Janar të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, krahasuar me një vit më parë kredia për shtëpi është rritur me 3.1 miliardë lekë ose rreth 3%. Në fakt, rritja mund të jetë disi më e lartë, por një ndikim të lehtë mund të ketë dhënë edhe zhvlerësimi i euros kundrejt lekut.
Banka e Shqipërisë i raporton statistikat në monedhën vendase, por portofoli i kredisë për shtëpi në pjesën më të madhe është i ndërtuar në euro. Kjo bën që shuma totale të jetë e ndjeshme ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.
Kredia për shtëpi është nxitur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar nga ulja drastike e interesave, si në lekë, ashtu edhe në euro. Interesat që në vitet e parë nisin që nga niveli 2% kanë bërë që shumë familje të përfitojnë nga kushtet e favorshme të tregut për të blerë një apartament. Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesit për kreditë dhënë individëve janë në nivelet më të ulët historikë. Në Janar, interesi i kredive për individë në lekë ishte 7.54%, ndërsa në euro 3.92%.
Kreditimi për blerjen e pasurive të paluajtshme është ndër produktet që po promovohet më shumë nga bankat. Kreditë hipotekare kanë raportin më të ulët të kredive me probleme dhe përbëjnë segmentin më cilësor të kreditimit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.