Kredia për shtëpi – Arriti në 880 milionë euro në fund të 2018
Kredia për blerjen e banesave e dhënë nga sistemi bankar shqiptar ka arritur në 110 miliardë lekë ose rreth 880 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky portofol u rrit me rreth 3% gjatë vitit 2018. Ulja e normave të interesit dhe rritja e fokusit të sistemit bankar në segmentin e individëve ka favorizuar zgjerimin e kredisë për pasuri të paluajtshme.
Bankat po fokusohen gjithnjë e më shumë te këto produkte, me qëllim një diversifikim më të lartë të portofolit të kredisë te klientët individë. Kreditë për blerje banesash kanë afate të gjata maturimi, çka mundëson një rritje të qëndrueshme të portofolit në kohë, por, gjithashtu, kanë edhe raportin më të ulët të kredive me probleme.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Kredia bankare është një nga faktorët kryesorë që e kanë gjallëruar disi tregun e pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, sidomos në kryeqytet. Ulja e normave të interesit i ka shtyrë shumë familje të vendosin të blejnë një shtëpi të tyren për banim, por, në disa raste dhe si formë investimi. Në dhjetor 2018, norma mesatare e interesit të kredive të reja për shtëpi në lekë ishte 3.8%, ndërsa në euro ishte 3.3%. Tregu është nxitur edhe nga program i kredive të buta të Bashkisë Tiranë, që merr përsipër subvencionimin e normave të interesit për familjet përfituese.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.