Kredia për shtëpi – Interesat e ulëta favorizojnë rritjen

Interesat e huave për blerjen e pasurive të paluajtshme ranë përsëri gjatë muajit korrik, duke qenë një nxitës i rëndësishëm për investimin në prona. Sipas Bankës së Shqipërisë, për korrikun interesi mesatar i kredive të reja për blerje banesash në lekë ishte 3.9%, nga 4.2% që pati qenë për qershorin.
Ndërkohë, në euro interesat janë edhe më të ulëta. Për korrikun ato zbritën më tej në 3.1%, nga 3.3% që kishin qenë për qershorin.

Ulja e interesave dhe lehtësimi i kredisë hipotekare nga bankat po bëhen një faktor përcaktues në gjallërimin e tregut të pasurive të paluajtshme në vend.
Në gjashtë muajit e parë të vitit, kredia e re e dhënë nga bankat për blerje banesash arriti në 11.5 miliardë lekë, në rritje me 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shumë familje po shfrytëzojnë kreditimin me normë të ulëta për të blerë banesa.
Kjo tendencë po favorizohet edhe rënia e çmimeve të pronave gjatë viteve të fundit. Sidomos në zonat periferike të kryeqytetit, çmimet e pronave ranë ndjeshëm, si pasojë e ofertës së lartë dhe rënies së fuqisë blerëse pas vitit 2009.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.