Kredia për shtëpi – Interesat të ulëta, por kërkoni transparencë

Kreditimi për blerjen e pasurive të paluajtshme është ndër produktet më aktive në sistemin bankar. Anila Muçmata, drejtore e kredisë për Individë në Credins Bank, thotë se ky produkt po nxitet nga normat e ulëta të interesit të kredive, por edhe nga rënia e interesave të depozitave, që kanë rritur interesin për investime në pasuri të paluajtshme.
“Patjetër që norma është një faktor shumë i rëndësishëm për sa i përket procesit të shitjes së kredisë dhe për sa i përket produktit të kredisë housing. Por nuk është vetëm norma, Credins i është përgjigjur po aq mirë klientëve me norma të reduktuara në varësi edhe të depozitave. Por, kryesorja që ne synojmë është ofrimi i një shërbimi të personalizuar për klientët, që do të thotë: klientin nuk e shohim vetëm në aspektin e shifrave, por përpiqemi të kuptojmë cili është produkti, cili është kësti më i përshtatshëm për të, në mënyrë që në një afat të mesëm dhe të gjatë, klienti të mos vihet në vështirësi financiare”, u shpreh Muçmata.
Megjithëse normat e interesit sot janë në nivelet më të ulëta historike, zonja Muçmata thotë se klientët duhet të tregohen të kujdesshëm në vlerësimin e ofertave që përmbajnë interesa shumë të ulëta në vitet e para. Sipas saj, është e rëndësishme që bankat të tregojnë transparencë të plotë për kostot totale të kredisë në kohë.
“Patjetër që ne jemi shumë transparentë, e theksoj pasi është shumë e rëndësishme që klientit, përpos një përqindjeje të reklamuar kudo në media, të jesh transparent dhe të tregosh komplet procesin se çfarë përmban. Shpeshherë ne përballemi me norma deri diku të çuditshme, por që po t’i shkosh deri diku llogarive, shikon se nuk është vetëm ajo që promovohet. Ajo që ne si staf i Credins synojmë është transparenca”, tha ajo.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë 2017 kredia për individë kishte vlerën e 162 miliardë lekëve, në rritje me 2 miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Kredia për blerje banesash zë afërsisht 65% të totalit të kredisë për individë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.