Kreditë me probleme, 10.2%! Edhe tetori pozitiv, tani duhet menaxhuar efekti i tërmetit
Raporti i kredive me probleme ra sërish gjatë muajit tetor, me një tjetër hap pozitiv në drejtim të stabilizimit të një prej treguesve më të rëndësishëm të sistemit bankar në vend.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, huatë me probleme zbritën në 10.2% të totalit, duke shënuar nivelin më të ulët për më shumë se 10 vjet.
Raporti i kredive me probleme është shumë pranë niveleve njëshifrore, i shtyrë si nga rritja sasiore e kreditimit gjatë këtij viti, ashtu edhe nga përmirësimet cilësore të portofolit. Në fund të muajit tetor, kredia për sektorin privat u rrit me 6.7% me bazë vjetore.
Rritja e qëndrueshme e portofolit të kredisë ndikon në uljen e peshës së kredive në vonesë kundrejt totalit. Edhe kreditë me probleme paraqiten në vlerë më të stabilizuara, çka dëshmohet nga uljua drastike e shpenzimeve për provigjione në vitet e fundit.
Zvogëlimi i portofolit të kreidve të këqija ka ardhur si rezultat i një sërë masash të ndërmarr avitet e fundit, që nga fshirja e kredive të humbura, përmirësimi i procesit të ekzekutimit të kolateralit, por edhe përdorimi më me efikasitet i risturkturimit për huamarrësit në vështirësi të përkohshme.
Por, në momentin kur ulja e kredive me probleme duket e adresuar më mirë se kurrë në dekadën e fundit, elementi që mund ta ngadalësojë, qoftë edhe përkohësisht këtë proces, është tërmeti i 26 nëntorit.
Kjo ngjarje ka shkaktuar dëme të mëdha edhe mes bizneseve dhe familjeve huamarrëse në sistemin bankar.
Megjithëse sistemi është pjesërisht i mbrojtur përmes mekanizimit të sigurimit të pronës, sërish tërmeti do të sjellë në mënyrë të paevitueshme flukse të reja të kredive me probleme.
Menaxhimi i kësaj situate specifike dhe të jashtëzakonshme pritet të jetë objekt i një platforme specifike masash të ndërmarra nga bankat treegtare, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.