Kreditë me probleme – 9.4% për individët, 19.4% për bizneset
Raporti i kredive me probleme për individët ka rënë tashmë në nivele njëshifrore. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti, niveli i kredive me probleme për individët zbriti në 9.4%, nga 12.5% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Shifrat tregojnë edhe njëherë se kreditimi i individëve paraqet sot një aktivitet më të sigurt për bankat, kryesisht për shkak të shpërndarjes më të mirë të rrezikut kreditor.
Kjo shpjegon më së miri arsyet pse në vitet e fundit bankat po fokusohen më shumë në kreditimin e individëve, duke lehtësuar standardet e kredisë dhe duke ulur ndjeshëm normat e interesit. Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, kredia për individë u zgjerua më tej me 2.5% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Niveli i kredive me probleme është në përmirësim edhe për bizneset, por duke ngelur ndjeshëm më i lartë krahasuar me individët. Në qershor të këtij viti, raporti i kredive me probleme për biznesin ishte 19.4%, nga 23% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Pavarësisht përmirësimeve cilësore, bankat vazhdojnë të jenë konservatore në kreditimin e sipërmarrjeve. Gjatë gjashtëmujorit të parë, portofoli i kredisë për bizneset rezidente në Shqipëri ra me 3% krahasuar me fundin e vitit 2016.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.