Kreditë me probleme – Bankat më të mëdha kanë raportin më të ulët

Bankat më të mëdha kanë raportin më të ulët të kredive me probleme, ndërsa ky tregues është në nivele më të larta për bankat e vogla.
Sipas Bankës së Shqipërisë, bankat me më shumë se 7% pjesë tregu dhe të klasifikuara në grupin G3, në fund të vitit të kaluar kishin një raport të kredive me probleme në nivelin 17.7%.
Në këtë grup bëjnë pjesë Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen, Credins dhe Intesa Sanpaolo. Raporti i kredive me probleme për këto katër banka në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ra me 1.2 pikë përqindjeje.
Ndërkohë, përkeqësime të ndjeshme pësoi portofoli i bankave të grupit G1, ku përfshihen bankat me pjesë tregu më të ulët se 2%. Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredisë me probleme për këtë grup arriti në 26.6%, në rritje me 10.5 pikë përqindjeje gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016.
Te grupi G1 përfshihen Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Veneto Banka, Banka Ndërkombëtare Tregtare, Banka e Parë e Investimeve dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë.
Me gjithë rritjen shqetësuese të kredive të këqija për këtë grup bankash, sërish impakti i tyre në cilësinë e portofolit të sistemit bankar është mjaft i ulët. Së bashku, këto banka zotërojnë vetëm 4.6% të aktiveve të sistemit bankar.
Përmirësimin më të lartë në treguesit e kredive me probleme gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar e shfaqi grupi G2, ku përfshihen bankat e mesme, me pjesë tregu nga 2% deri në 7%. Raporti i kredive me probleme për këtë grup zbriti në 18.2%, nga 22.9% që ishte në mesin e vitit.
Në këtë grup bankash bëjnë pjesë Banka Procredit, Banka Kombëtare e Greqisë, Societe Generale, Alpha Bank, Union Bank, Tirana Bank dhe Banka Amerikane e Investimeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.