Kreditë me probleme – Bien në 11%, niveli më i ulët që nga dhjetori 2009

Sistemi bankar bëri një hap të mëtejshëm drejt uljes së raportit të kredive me probleme në muajin gusht. Ky tregues zbriti në 11%, që është niveli më i ulët i regjistruar që nga dhjetori i vitit 2009. Ndonëse me një ritëm të ngadaltë, kreditë e këqija po bien gradualisht dhe tashmë objektivi është zbritja në nivele njëshifrore.
Ulja e raportit të kredive me probleme ngelet një faktor tejet i rëndësishëm për rritjen e huadhënies. Guvernatori, Gent Sejko, tha javën e kaluar se ulja e kredive me probleme ka përmirësuar ndjeshëm ofertën për kredi bankare. Në fund të gushtit, portofoli i kredisë për ekonominë ishte në rritje me 5.2% me bazë vjetore krahasimi. Nëse ulja e kredive të këqija ka lehtësuar rritjen e kreditimit, anasjelltas, edhe zmadhimi i portofolit të kredisë është i rëndësishëm për të ulur peshën e kredive me probleme në raport me totalin.
Normat e ulëta të interesit dhe ristrukturimi i sistemit bankar, me hyrjen në treg të aksionarëve të rinj, po e ndikon pozitivisht kreditimin. Të paktën në krahun e ofertës, perspektivat për rritjen e mëtejshme të huadhënies duken të mira. Parametrat kryesorë të sistemit bankar shqiptarë janë në përmirësim të dukshëm. Rezultatet financiare janë përmirësuar, ndërsa gjendja e kapitalizimit dhe likuiditetit paraqitet në nivelet më të larta të 15 viteve të fundit. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, sipas të dhënave më të fundit, është 18.5%, gjashtë pikë e gjysmë më shumë se niveli i kërkuar rregullator. Ndërsa raporti mes kredive dhe depozitave në fund të muajit gusht ishte mjaft i ulët, në nivelin 48.5%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.