Kreditë me probleme – Më mirë individët, më keq bizneset

Segmenti i individëve u konfirmua edhe vitin e kaluar si më cilësori në kreditim.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në portofolin e individëve në fund të vitit 2016 zbriti në 10%, në përmirësim të ndjeshëm nga niveli 12.9% i vitit 2015.
Në veçanti, kredia për pasuri të paluajtshme regjistroi një shkallë edhe më të ulët të kredive me probleme, në 8.8%.
Ndërkohë, ecuria e kredive të këqija në segmentin e biznesit ngelet problematike. Në fund të vitit 2016, raporti i kredive me probleme për bizneset u rrit në 21.4%, nga 20.1% që kishte qenë një vit më parë.
Kjo ecuri e nivelit të kredive me probleme shpjegon, në një masë të madhe, edhe tendencat e kreditimit dhe fokusin në rritje të bankave te individët. Për vitin e kaluar, kreditimi i individëve u rrit me 3.7%, ndërsa kredia për bizneset rezidente ra me 0.7%.

Kredia për individë mundëson një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë dhe i mbron bankat nga përqendrimet e larta në klientë të veçantë, fenomen që në dekadën e fundit ka origjinuar sasinë më të madhe të kredive të këqija.
Në segmentin biznes, banka të veçanta kanë zgjeruar kreditimin për jorezidentët, duke kërkuar mënyra alternativa investimi në tregjet e vendeve fqinje.
Vrojtimet e aktivitetit kreditues në vazhdimësi gjatë viteve të fundit kanë treguar se bankat po aplikojnë standarde të shtrënguara në kreditimin e bizneseve. Perceptimi i lartë i rrezikut dhe niveli shqetësues i kredive me probleme janë ndër shkaqet kryesore të qasjes konservatore të bankave në këtë segment.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.