Kreditë me probleme – Stoku ulet në 93 miliardë lekë

Stoku i kredive me probleme të sistemit bankar ka rënë në 93 miliardë lekë ose rreth 695 milionë euro. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe në vlerë absolute kreditë me probleme kanë rënë ndjeshëm, po të kemi parasysh se në momentin më të vështirë ato patën prekur vlerën e 1 miliard eurove.
Rolin kryesor në këtë përmirësim e ka luajtur pastrimi i bilanceve nga kreditë e humbura. Duke filluar nga janari 2015, bankat janë të detyruara nga kërkesat rregullative të ndërmarrin fshirjen e kredive që gjenden në kategorinë “e humbur” për më shumë se 3 vjet.
Gjithsej, në dy vite e gjysmë, janë fshirë 43.3 miliardë lekë ose rreth 320 milionë euro kredi të humbura. Kjo përbën në thelb diferencën e uljes së kredive me probleme në vitet e fundit, megjithatë, sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë një rol kanë luajtur edhe ristrukturimet dhe përmirësimet organike në portofolin e kredisë.
Si raport, kreditë me probleme kanë zbritur në 15.1% të totalit dhe duken në një rrugë të qëndrueshme rënieje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.