Kreditimi nuk është ndërprerë – Credins me produkt të ri për individët dhe biznesin e vogël
Kreditimi i ekonomisë po vijon edhe në kushtet e krizës së Covid-19. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për ekonominë kishte vlerën e 582 miliardë lekëve, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Orjada Medolli, përgjegjëse e menaxhimit të Kredisë në Departamentin e Menaxhimit të Shitjeve në Degë të Credins Bank, thotë se huadhënia ka vijuar, përmes skemave të garancisë sovrane të qeverisë shqiptare, por edhe jashtë këtyre skemave. Credins Bank po ofron një produkt të posaçëm për mbështetjen e individëve dhe mikrobizneseve, me norma interesi më të ulëta dhe me një periudhë fillestare kur klienti paguan vetëm interesat.
Sipas saj, procesi i shtyrjes së kredive i ka dhënë frymëmarrje një pjese të madhe të klientëve, përfshi këtu segmentin e bizneseve të vogla dhe mikro. Credins Bank ka shtyrë më shumë se një mijë kredi në këtë segment, ndërkohë që gradualisht pagesat e kredive po i kthehen normalitetit dhe numri i subjekteve që kanë dalë nga moratorium i pagesave është në rritje.
Shpërthimi i epidemisë së Covid-19 dhe mbyllja e ekonomisë futën në ngërç aktivitetin ekonomik për një periudhë gati tremujore. Në përgjigje të kësaj situate, bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë vendosën të mundësonin shtyrjen e pagesave të kredive për klientët që u prekën nga kriza. Vlera e portofolit të shtyrë arriti në më shumë se dy miliardë euro dhe puna e bankave në muajt mars dhe prill u fokusua sidomos te ky proces. Megjithatë, sidomos pas muajit maj, kreditimi po jep shenja të një rikthimi gradual drejt normalitetit. Sidomos tek individët dhe bizneset e vogla, ku edhe vlerat e ekspozimit janë më të kufizuara, bankat duken të prirura të vijojnë huadhënien, madje edhe përmes produkteve të reja.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.