Kreditorët i “sulen” Serenissima – Borxhet, hidhen në ankand asetet e kompanisë italiane
Pas prishjes së kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndërtimin e By pass-eve të Fierit e të Vlorës, kompania Serenissima Costruzioni është vënë nën mësymje nga furnitorët e saj për shkak të borxheve të pashlyera.
SCAN ka mësuar se kompania Garden Line Sh.p.k. ka sekuestruar dhe ka nxjerrë në ankand në qershor një sasi tubash në pronësi të Serenissima-s me peshë 258 ton dhe me vlerë 233 mijë dollarë. Në ankandin e parë të zhvilluar më 22 qershor nuk është paraqitur asnjë ofertë, dhe kompania Garden Line është në pritje të ankandit të dytë.
Më herët, ka qenë kompania e sigurisë fizike “Arb Security” ajo që i është drejtuar gjykatës administrative për njohjen e detyrimeve të pashlyera nga ana e shoqërisë italiane, për një vlerë totale prej rreth 200 mijë dollarësh. Vendimi i gjykatës i jep 10 ditë kohë Serenissima-s të shlyejë detyrimin, në të kundërt edhe “Arb Security” do të nisë të vendosë nën sekuestro asetet e saj.
Në prill të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar anuloi në mënyrë të njëanshme kontratat e lidhur me kompaninë italiane “Serenissima Construzioni”. Shkak u bë zvarritja e punimeve përtej parashikimeve në kontratë të të dy By pass-eve gjë që u konsiderua e patolerueshme nga autoritetet shqiptare.
Ndërkohë që prej kohësh qeveria shqiptare kishte vënë në pikëpyetje ofertën shumë të ulët që Serenissima kishte paraqitur në ankand. By Pass-i i Fierit, gjatë projektimit, u vlerësua se do të kushtonte rreth 60 milionë euro, të gjitha të financuara me kredi. Por në tenderin e zhvilluar, kompania italiane “Serenissima” ofroi kryerjen e punimeve për më pak se 40 milionë euro, 20 milionë më pak se sa fondi limit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.