Kreu i AAC-së, Krislen Keri kërkesë palës italiane për penalizimin e kompanive problematike
Sfidat e aviacionit që lidhen me rritjen e kërkesës për menaxhimin më të mirë të trafikut, siguria, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore e teknike si dhe emetimi i gazrave e siguria kibernetike kanë qene edhe fokusi i diskutimit në takimin e 36-të të ECAC, i cili zhvillohet një herë në tre vjet.
I pranishëm në mbledhjen e drejtorëve të Autoriteteve të Aviacionit Civil pjesë e EACA ishte edhe kreu i AAC-së në Shqipëri, Krislen Keri, së bashku me Presidenten e ICAO-s, Fang Liu, drejtorin ekzekutiv të EASA, Patrick Ky dhe menaxherin e IATA-s, Alexandre de Juniac.
Gjatë mbledhjes Keri zhvilloi takim edhe me homologun e tij italian, Alessio Quaranta, ku shprehu shqetësimin lidhur me problemet që po shkaktojnë kompanitë italiane me të drejtat e pasagjerëve. Në këtë kuadër, ai kërkoi nga pala italiane penalizime për këto kompani, duke shtuar se është vënë në dijeni edhe Komisioni Europian.
Më tej, Keri u takua po ashtu edhe me drejtorin e AAC turk, Bahri Kesici, ku forcimi i bashkëpunimit lidhur me ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbimit të eksperiencave ishte edhe fokusi i bisedës së tyre.
Ndërsa, gjatë takimit me kreun e Aviacionit Civil izraelit, Joel Feldschuh, palët ranë dakord për vendosjen e kanaleve të bashkëpunimit për të përfituar nga praktikat më të mira lidhur me eksperiencat koncesionare. Izraeli ndërkohë është në proces për dhënien me koncesion të dy aeroporteve në vend.
Përmirësimi i sigurisë, rritja e kapaciteteve teknike si dhe përmirësimi i shërbimeve në tokë ishin edhe 3 shtyllat kryesore mbi të cilat palët u angazhuan të punojnë më shumë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.