Kreu i KQZ, Zguri në konferencë për mediat: Ja rezultatet në rang vendi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi më parë se ka përfunduar numërimi i votave në të gjithë Shqipërinë.
Në një konferencë për mediat kreu i KQZ, Klement Zguri bëri të ditur rezultatin në rang vendi, si dhe dha numrin e plotë të shtetasve që iu drejtuan kutive të votimit:
“Në këto zgjedhje në Shqipëri kanë marrë pjesë në zgjedhje 1 613 087 zgjedhës, ose 46.72% të numrit të përgjithshëm. Në rang kombëtar, rezultati paraprak i zgjedhjeve, e ritheksoj paraprak, i mbërritur në KQZ në mënyrë elektronike përmban këto shifra. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme ka qenë 1 580 778. Votat janë ndarë sipas subjekteve elektorale si vijon: Partia Socialiste mori 763 999 vota ose 48.30 për qind të votave ose 74 mandate, PD mori 455 481 vota ose e shprehur në përqindje 28.81 për qind, 43 mandate, LSI 225.678 vota ose 14.28 për qind, 19 mandate. PDIU mori 75 938 vota ose 4.8 %, 3 mandate, PSD 14.998 vota ose 0.95 për qind të votave ose 1 mandat. Partitë e tjera, të cilat nuk kane kaluar pragun, morën 44661 vota ose 2.8% të votave të vlefshme”, tha Zguri.
Gjatë kësaj deklarate, Zguri ka falenderuar numëruesit dhe komisionarët për mbarëvajtjen e procesit.
”Përfitoj nga ky fakt për të vlerësuar dhe falënderuar komisionarët dhe numëruesit që bënë të mundur mbarëvajtjen e procesit. Dua të shpreh publikisht mbarëvajtjen e këtij procesi, ku incidentet mbetën të izoluara dhe nuk njollosën procesin. Vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë kanë qenë mbikëqyrësit më të mprehtë të votës në këto zgjedhje. Gjetjet dhe konstatimet do të jenë program pune për KQZ.”
Për kreun e KQZ, një mëritë të veçantë në mbarëvajtjen e procesit kanë pasur edhe subjektet zgjedhore.
“Në mbarëvajtjen e procesit një rol kanë pasur edhe subjektet zgjedhore. Vlerësim dhe mirënjohje për bashkëpunimin institucional. Urime për një qeveri të suksesshme dhe për një opozitë të fortë parimore dhe kontruktive. Vullneti i shqiptarëve u bë realitet, urime subjekteve fituese, suksese legjislaturës së 9”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.