Kreu i PD, Basha: “Vendi në krizë të thellë. Koha e fjalëve ka mbaruar. T’i hapim rrugë një plani që e nxjerr ekonominë nga koma!”
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar serinë e takimeve ku u ka bërë apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës me 16 shkurt. Gjatë takimeve në Pogradec dhe Elbasan, Basha është ndalur te situata ekonomike duke e cilësuar si një moment krize totale për vendin. Gjatë takimeve në Pogradec Basha tha se 25 % e bizneseve janë mbyllur ndërsa qytetarët po përballën me papunësi e vështirësi të shumta ekonomike.
“Koha e fjalëve ka mbaruar. Thika ka shkuar në palcë. Ekonomia është në kolaps total. Papunësia është ulur këmbëkryq. Mirëqenia, është në pikën e saj më të ulët. Këto janë fjalët që dëgjoj kudo, nëse janë sipërmarrës apo fermerë, nëse janë studentë apo pensionistë.
Dhe këtu në Pogradec, në këtë qytet të bukurisë natyrore dhe të bukurisë shpirtërore të pogradecarëve, sot shoh gjendjen e vështirë ekonomike, krizën totale që ka pllakosur. Shoh se, një në katër biznese ka mbyllur dyert në vetëm dy vitet e fundit. Nga afro 2 mijë biznese, sipërmarrje që kishte Pogradeci, 500 janë mbyllur.
Janë mbyllur, për shkak të taksave të larta, janë mbyllur për shkak të terrorit tatimor, janë mbyllur për shkak të politikave monopoliste që edhe thertoret ua kanë çuar në Korçë tregtarëve të mishit këtu në Pogradec. Janë mbyllur, për shkak të varfërisë që ka pllakosur dhe ka zbrazur xhepat pogradecarëve, njësoj si xhepat e bashkëqytetarëve tanë kudo. Kupa është mbushur dhe kupa po derdhet.
Ndaj që t’i hapim rrugë një plani ekonomik që do ta nxjerrë ekonominë nga koma, që miliarda euro që këta i kanë vjedhur do t’i rikthejnë në xhepat tuaj.
Po, po, në burg do të shkojnë nga i pari tek i fundit, të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe ata që kanë futur duart në xhepat tuaj si minj në çark do t’i zëmë më 16 shkurt, do t’i çojmë para ligjit, përpara drejtësisë. 16 shkurti do të jetë një ditë mësimi historik për politikën, për partitë politike dhe për çdo qeveri tjetër që do të vij. Dhe mësimi do të jetë ky: ky vend është i popullit, këto të drejta janë të qytetarëve, këto taksa janë të njerëzve, nuk do të tolerohen më politikanët e lidhur me krimin, nuk do të tolerohen më hajdutët oligarkë, 5 njerëz që shfrytëzojnë dhe zhvatin taksat dhe pasuritë e shqiptarëve. Më 16 shkurt jepini fund këtij sistemi të kalbur” tha Basha.
Në vijim të bashkëbisedimeve Basha tha se forca e tij ka një alternativë për zhvillimin e ekonomisë që parashikon taksa të ulëta për qytetarët e bizneset, pensione më të larta e klimë më të mirë biznesi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.