Kreu i Tatimeve në Rusi, emërohet si kryeministër i ri pas tërheqjes së Medvedev
Kreu pak i njohur i shërbimit tatimor të Rusisë, Mikhail Mishustin, u emërua si Kryeministri i rradhës i Rusisë disa orë pasi Dmitry Medvedev dha dorëheqjen , duke mbuluar një ditë ndryshimesh të papritura në politikën Ruse.
“Presidenti Vladimir Putin pati një takim pune me Mikhail Mishustin dhe sugjeroi që ai të merrte detyrat e kreut të qeverisë,” tha shërbimi për shtyp i Kremlin. “Me pëlqimin e tij, [Putin] paraqiti kandidaturën kryeministrore të Mishustin për t’u marrë në konsideratë në Duma.”
Mishustin ka udhëhequr autoritetin federal të taksave të Rusisë që nga viti 2010 dhe nuk konsiderohet një politikan me profil të lartë në Rusi.
“Kandidatura e Mishustin është absolutisht e papritur, por kjo nuk do të thotë se ai është një person që shkakton rezistencë,” tha për agjensinë e lajmeve “Interfax” nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Ilyas Umakhanov. “Jo të gjithë krerët e institucioneve tatimore gëzojnë simpati dhe përzemërsi. Sipas mendimit tim, ky është opinioni i përhapur publik ndaj Mishustin.”
Umakhanov e përshkroi zyrtarin e taksave si një njeri me “përvojë të madhe, person që ishte pjesë e sistemit”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.