Krijohen 2 superministri – Nën drejtimin e Ahmetajt dhe Gjiknurit bashkohen 5 ministri

Bashkë me tkurrjen në 11 Ministri, ajo që bie në Qeverinë Rama 2 është krijimi i dy superministrive. Ato janë Ministria e Financave, Ekonomisë e Punës, me titullar Arben Ahmetaj, dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës me titullar Damian Gjiknuri.
Që të dy rezultuan ndër ministrat më të suksesshëm të Qeverisë Rama 1: Ahmetaj duke i dhënë fund gropës së vazhdueshme të të ardhurave buxhetore përmes një reforme të vështirë kundër informalitetit, ndërsa Gjiknuri duke i dhënë fund fenomenit të mosshlyerjes së faturave të energjisë, e cila edhe nxori sektorin e energjitikës nga kriza.
Nën drejtimin e Arben Ahmetajt për katër vitet e ardhshme do të përmblidhen ish-Ministria e Financave, e vetë Ahmetajt, ish-Ministria e Ekonomisë, që deri tani ishte nën drejtimin e Milva Ekonomit, dhe Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale, e cila u drejtua fillimisht nga Erion Veliaj dhe më pas nga Blendi Klosi.
Superministri i dytë, Damian Gjiknuri, do të vazhdojë të drejtojë ministrinë e Energjitikës, por do të ketë nën vete edhe një prej dikastereve më të rëndësishme në jetën e vendit, atë të Transporteve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.