Krijohet gjiganti i muzikës – Sony ofron 2.3 miliardë dollarë për firmën britanike EMI

Sony deklaroi se do të paguajë 2.3 miliardë dollarë për të fituar kontrollin e gjigantit britanik EMI, duke zënë vendin e parë në një industri që ka nisur të rimëkëmbet përballë shërbimeve në rrjet. Blerja i jep Sony një katalog prej më shumë se 2 milionë këngë, nga artistë si Kanye West dhe Sia. Përhapja e gjerë e internetit ka tkurrur tregun muzikor në periudhën 1999-2014, por kreu ekzekutiv i Sony, Kenichiro Yoshida, tha se situata po ndryshon me rritjen e shërbimeve streaming të muzikës me çmime fikse.
Sipas analistëve, rritja e shërbimit streaming po zgjeron gjithashtu të ardhurat për autorët dhe Sony po përpiqet të arrijë marrëveshje me Spotify, Apple music, Google Play, SoundCloud dhe Youtube. Oferta e vlerëson EMI në 4.75 miliardë dollarë përfshirë borxhin, që është sa dyfishi i vlerës prej 2.2 miliardë e ofruar në vitin 2011 nga një konsorcium i drejtuar nga Sony.
Kompania japoneze, që ka drejtuar biznesin që prej atëherë, do të blejë 60% të aksioneve nga zotëruesit e tjerë, duke e çuar pronësinë në rreth 90%, nga 30% që mban aktualisht. EMI kontrollon 15% të industrisë së muzikës që duke u kombinuar me kompaninë japoneze, do të krijojë një lider me 26% të tregut.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.