Krijohet Komisioni i Verës/ Shqipëria drejt vendosjes së rregullave të reja për tregtimin
Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj për verën dhe vreshtarinë në Shqipëri. Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë vendosjen e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar.
Po ashtu, projektligji ka si qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës dhe nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar ndërkohë masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës.
Projektligji do të zbatohet nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, vendas e të huaj, që zhvillojnë në Shqipëri aktivitete ekonomike, të cilat lidhen me qëllimin e ligjit, duke përfshirë prodhimin, tregtimin, eksportin dhe importin e produkteve të mbuluara nga sektori i verës. Ky projektligj nuk do të zbatohet për produktet e verës që nuk janë për shitje.
“Efektet e pritshme të këtij projektligji pritet të jenë mjaft pozitive, pasi vreshtaria dhe verëtaria janë veprimtari ekonomike shumë të rëndësishme për vendin tone që në kohë të hershme e deri sot dhe janë të pandara nga kultura e lashtë e vendit tonë e lidhen me shtimin e sipërfaqeve të vreshtave; prodhimin e verës me varietete të mirëpërcaktuara e të certifikuara; regjistrimin e të gjitha sipërfaqeve të mbjella; etiketimin, marketingun sipas rregullave të Bashkimit Evropian; kryerjen e kontrollove; që do të çojnë në formalizim të plotë të sektorit nga prodhuesi deri te përfituesi përfundimtar, në rritje të konkurrueshmërisë së produktit, në ulje të importit, gjenerim të të ardhurave dhe përmirësim të jetesës” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës dhe Komisioni i Verës
Në projektligj përcaktohet se pranë ministrisë së Bujqësisë, krijohet dhe funksionon një organ konsultativ, i cili do të emërtohet Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës.
Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës do të miratohet dhe drejtohet nga ministri dhe ka në përbërje 11 anëtarë.
Po ashtu parashikohet të krijohet edhe Komisioni i Verës që do të ketë në përbërje 7 anëtarë.
Anëtarët e komisionit, përfshirë dhe kryetarin, emërohen e lirohen me urdhër të ministrit dhe zgjidhen bazuar në arsimin, profesionin dhe eksperiencën, e cila duhet të jetë, të paktën, 15-vjeçare në profesion, me punime shkencore në fushën përkatëse.
Hyrja në fuqi parashikohet të bëhet në një periudhë 2 vjeçare nga botimi në “Fletoren zyrtare”, për t’u mundësuar subjekteve private përgatitjen për plotësimin e kushteve që përcaktohen në këtë ligj.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.