Krimi ekonomik – Sekuestrohen 119.5 mijë euro dhe 9900 USD, vetëm këtë javë

Në vijim të Plan Operacionit ”Vjeshtë 2017”, dhe krimit ekonomik gjatë kësaj jave është bërë e mundur nga Policia e Shtetit, sekuestrimi i vlerës monetare prej 119.5 mijë euro dhe 9900 USD.
Që ditën e hënë Policia Vlorës në operacionin për evidentim dhe sekuestrim të aseteve të cilat rezultojnë të përfituara në mënyrë të paligjshme, sekuestroi vlera monetare prej 44.900 Euro dhe 9900 dollarësh të cilat dyshohen të jenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Po ashtu policia kufitare në Kakavijë po procedon në gjendje të lirë një shtetas italian për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij i’u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 74.600 euro të cilat nuk i kishte deklaruar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme edhe në Kapshticë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Korçës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të një shtetasi i cili nuk deklaroi në doganë një sasi konfeksionesh, kryesisht veshmbathje, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale: “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.