Kritere dhe procedura abuzive me tenderët – KPP pranon 51% të ankesave të operatorëve ekonomikë
Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar 51% të ankesave të depozituara nga operatorët ekonomikë, duke i konsiderues si të padrejtë kriteret e vendosur nga autoritetet kontraktore apo përzgjedhjet e kompanive fituese pas realizimit të procedurave të prokurimit publik. Të dhënat i përkasin muajit korrik, gjatë të cilit u depozituan në total 76 ankesa, ndërkohë që KPP ka marrë 69 vendime.
Ankesat janë dorëzuar për procedura tenderuese për punë, mallra apo shërbime, ku 43 prej tyre janë për dokumentet standarde të tenderit, ndërsa 33 të tjera për vlerësimin e ofertave. Ndërkaq, përveç pranimit të ankesave, në një rast KPP është marrë vendim për hetim administrativ të mëtejshëm nga Agjencia e Prokurimit Publik. Ndërkohë që, në një rast tjetër është vendosur masa administrative gjobë në masën 50,000 lekë ndaj autoritetit kontraktor për mosbashkëpunim me Komisionin e Prokurimit Publik.
Sipas të dhënave zyrtare, një numër i konsiderueshëm procedurash tenderuese ankimohen pranë Komisionit të Prokurimit publik, si një nga hallkat e fundit administrative, përpara se çështja të shkojë në gjykatë. Gjatë vitit 2020 institucionet publike tenderuan 264 mld lekë për punë, mallra e shërbime apo 154 mld lekë më tepër se një vit më parë, ku në total autoritetet kontraktore prokuruan 110 mld lekë. Ndërkohë që, 8.2% e tenderëve të zhvilluar janë ankimuar nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në garë, që kryesisht lidhen me kriteret e vendosur apo me parregullsi gjatë përzgjedhjes së fituesit nga Komisionet e Vlerësimit të Ofertave.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.