Kritika reformës së ujit, ERRU: Të rishikohet plani i masave, lidhjet e reja vetëm sa 1.7% e konsumatorëve
7 muaj pas rishpalljes së reformës në sektorin e ujit, Enti Rregullator i Ujit kërkon rishikimin e planit të masave për arritjen e objektivave të vendosur për vitin 2018 si dhe atij afatmesëm, në drejtim të lidhjeve të paligjshme, ku pritshmëria është në vlerën e 20% të numrit të përgjithshëm të konsumatorëve.
Gjithçka bëhet me dije në raportin e perfomancës së këtij institucioni, i cili vlerëson se në kuadër të aksionit të qeverisë për periudhën tetor 2017- maj 2018 janë evidentuar 14,366 lidhje të reja, të konsideruara si lidhje të paligjshme, të cilat përfaqësojnë vetëm 1.7% të numrit të përgjithshëm të konsumatorëve.
Nisur nga treguesit e ujit pa të ardhura dhe koha e furnizimit me ujë, që kanë mbetur në nivele të pandryshuara në krahasim me vitin 2016, sipas ERRU-së është i nevojshme përshpejtimi i reformës në sektor.
Për këtë kërkohet një angazhim më i madh i bashkive dhe shoqërive UK për regjistrimin e tyre si shoqëri të riorganizuara në përputhje me reformën, si edhe të institucioneve të tjera që kanë lidhje me sektorin duke vendosur afate dhe klauzola që parashikojnë sanksione në rast mosrespektimi të tyre.
Po ashtu, duke pasur parasysh deficitin financiar të operimit të sektorit UK dhe nevojës për subvencione, me qëllim shëndoshjen financiare të sektorit, ERRU thekson se të riorientohet fokusi i reformës për fazën emergjente në realizimin e një analize më të thelluar të performancës së shoqërive me më shumë probleme për të përcaktuar shkaqet e performancës së dobët financiare, si dhe hartimi i Plan Veprimeve për përmirësimin e saj.
Reforma u rilancua nga qeveria në fund të vitit 2017, duke zbatuar fillimisht masat emergjente, përmes vetëdeklarimit të lidhjeve të paligjshme, me objektiva që duhet të realizohen deri në fund të vitit 2018.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.