“Kritikat” e FMN – Ekspertët: Qeveria t’i marrë parasysh
Rekomandimet e dhëna nga Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare duhet të shihen qartë dhe në mënyrë të kujdesshme. Ekspertët e Ekonomisë, Adrian Civici dhe Selami Xhepa, shprehen për TV SCAN, se qeveria duhet të ruajë parametrat fiskalë, sidomos nivelin e borxhit, por duke treguar transparence në investimet publike, sidomos ato që mund të realizohen me PPP.
“Nëse bëjmë një matricë, nevoja për borxh të ri për investime, realizimi ose mosrealizimi i të ardhurave, futja në një borxh tjetër të dukshëm apo të fshehur dhe tendenca për të ulur borxhin aktual, natyrisht që ekuacioni bëhet i vështirë. Në asnjë mënyrë, siç e thotë dhe FMN-ja, nuk duhet të reduktohen investimet publike në emër të disa rregullimeve apo axhustimeve buxhetore. Sepse, nëse çdo herë që ka vështirësi të kësaj natyre, rruga e zgjidhjes ngelet mosrealizimi i investimeve publike, kjo cënon rritjen ekonomike, punësimin, cënon dhe realizimin e të ardhurave në një fazë të dytë”, shprehet Civici.
“Fondi, me të drejtë, vendos edhe disa paralajmërime që janë shumë të rëndësishme sa i takon së pari nevojës për të ruajtur stabilitetin e financave publike në terma afatgjatë, pavarësisht se qeveria dhe në programin e saj ka parashikuar që borxhi publik do të vendoset në një trajektore rënëse, për të kaluar nën 60% të PBB në 4 vitet e ardhshme. Por në fakt, duke parë angazhimin që ka qeveria në kuadrin e projektit të njohur tashmë “1 miliard” më shumë dollarë investime, të cilat do të prokurohen në formën e partneritetit publik-privat, këto përbëjnë borxhe të fshehura të qeverisë dhe në këtë kuptim përbëjnë një rrezik serioz për sa i takon stabilitetit të financave publike. Kjo nënkupton që borxhi publik, jo vetëm nuk pritet që të ulet, por përkundrazi, angazhimet që mund të merren në këto nisma mund të përbëjnë shkak për destabilitet të sistemit financiar”, tha Xhepa.
Marrëdhënia e re mes FMN dhe qeverisë shqiptare, për ekspertët shihet në këndvështrime të ndryshme. Për Civicin roli konsultues i këtij organizmi është OK, ndërsa Xhepa vlerëson se duhej rifirmosur marrëveshja me FMN.
“Në situatën ku ne jemi, nëse qeveria do të tregohet e përgjegjshme, e vendosur larg populizmit ose politikave sot për nesër, besoj se ne i kemi dhe kapacitetet dhe mundësitë që rekomandimet e FMN-së t’i zbatojmë. Nuk besoj që të jemi në atë moment që të kemi nevojë për një marrëveshje të re me FMN-në, qoftë edhe për faktin që këto lloj marrëveshjesh detyruese shoqërohen dhe me disa paketa financimi ose kompensimi buxhetor. Në situatën ku jemi, thjesht duhet të jemi serioz dhe të përgjegjshëm për politikat tona makroekonomike dhe politikat e zhvillimit”, shtoi Cicivi.
“Unë do ta mirëprisja një vazhdimësi të rolit të Fondit Monetar, për më tepër që Shqipëria nuk ka dhe çfarë të humbasë, sepse normalisht vazhdimi i disiplinës financiare në Shqipëri është një nevojë emergjente. Nëqoftëse sot borxhi publik është gati 70% e prodhimit të brendshëm kombëtar, nuk mund të ketë shqetësim më serioz për të ardhmen e ekonomisë së vendit se sa mbajtja nën kontroll e këtij treguesi dhe për rrjedhojë, prezenca e FMN do të ishte një garanci më shumë për arritjen e një objektivi të tillë”, argumentoi Xhepa.
Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërriti në Tiranë më 20 shtator dhe zhvilloi një seri takimesh të ngjeshura me përfaqësues të lartë të sistemit financiar në vend, por edhe me biznesin. Tashmë pas përfundimit të programit, FMN në Shqipëri është në rolin e monitoruesit të ecurisë së zbatimit të rekomandimeve.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.