Kriza e CO2 në Europë – Pritet të zgjasë edhe pas përfundimit të Kampionatit Botëror të futbollit
Kriza e dioksidit të karbonit që ka përfshirë Europën mund të zgjasë edhe pas përfundimit të Kampionatit Botëror të futbollit. Deklarata vjen nga shefi ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Mishit në Britani, Nick Allen, i cili tha për BBC se mund të duhen edhe dy javë të tjera para se furnizimi me dioksid karboni të kthehet në gjendjen normale.
Një mungesë e theksuar e CO2 në ushqime në javët e fundit ka ndërprerë aktivitetet normale të prodhuesve të mishit, alkoolit dhe pijeve me gaz në Europë, veçanërisht ato në Britani. Kjo ka ardhur në pikun e sezonit veror dhe në një kohë konsumimi pijesh në sasi të mëdha për shkak të Kampionatit Botëror të futbollit.
CO2 përdoret kryesisht për karbonizimin e kafshëve në ferma para përpunimit dhe për të mbajtur mishin të freskët në paketim. Po ashtu, nga mungesa e CO2 janë prekur edhe prodhuesit e pijeve që përdorin gazin për karbonizimin dhe ruajtjen e pijeve.
Mungesa e CO2 në Europë vjen në kohën e konsumimit të pijeve në sasi të mëdha gjatë Kampionatit Botëror të futbollit dhe në mes të sezonit veror.
Kriza e furnizimit filloi pasi një numër impiantesh të prodhimit të CO2 me bazë amoniaku në Europën Veriore u mbyllën në javët e para të sezonit veror për shkak të ndërhyrjeve që po kryhen për mirëmbajtjen e tyre. Situata u bë kritike kur një numër impiantesh si bio-etanoli, të cilat pritej të ndërhynin, gjithashtu ndaluan së funksionuari.
Ndërkohë, Pepsi, Pesi Max, Coca-Cola, Diet Coke, Coke Zero dhe 7Up janë edhe ndër kompanitë më të mëdha të cilat kanë racionuar sasinë e pijeve për konsumatorët.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.