Kriza e Covid mund të rikthehet shpejt / Shefi mjekësor i Anglisë paralajmëron përpara heqjes së karantinës
Kriza e koronavirusit e Anglisë mund të rikthehet përsëri shumë shpejtë dhe vendi nuk ka dalë ende nga rreziku, sipas shefit mjekësor Chriss Whitty, pak ditë para heqjes së masave të mbetura të kufizimeve. Qeveria do të heqë pjesën më të madhe të kufizimeve të pandemisë në Angli nga data 19 Korrik, duke thënë se programi i shpejtë i vaksinimit ka thyer lidhjen mes infeksionit dhe sëmundjes së rëndë apo vdekjes. Chriss Whitty tha se koha e dyfishimit të pacientëve në spital vlerësohet në 3 javë dhe numri i ulët i njerëzve të shtruar me Covid-19, mund të rritet në nivele serioze në muajt e ardhshëm. “Nuk kërkon shumë kohë deri sa shifrat të bëhen të frikshme përsëri”- tha ai. Britania ka pasur normën më të lartë të vdekjeve në Europë, por 2/3 e të popullsisë së rritur janë vaksinuar plotësisht.
Kryeministri Boris Johnson po i bën thirrje njerëzve që të jenë të kujdesshëm ndërkohë që Anglia ndërmerr hapin 4, që përfshin fundin e masave ligjore të karantinës, nga dita e Hënë. Kjo nënkupton se bizneset e fundit që kanë qenë mbyllur, përfshirë klubet e natës, mund të rihapen. Johnson ka pranuar se një valë e infeksioneve dhe vdekjeve mund të jetë e pashmangshme pasi kufizimet të përfundojnë, por shtoi se më shumë dëme mund të vijnë nëse mbahet ekonomia e mbyllur.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.