Kriza e eksporteve – Transporti i mallrave, më i ulëti në 10 vjet

Volumet e transportit të mallrave prekën vitin e kaluar nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Sipas Institutit të Statistikave, për vitin 2016 transporti i mallrave pësoi rënie si në rrugë detare, ashtu edhe në rrugë hekurudhore.
Për vitin e kaluar, volumi i transportit detar të mallrave ra në 3.75 milionë tonë, 2.2% më pak krahasuar me një vit më parë.
Rënia e të transportit të mallrave në tregtinë e jashtme është së shumti tregues i krizës së eksporteve të mineraleve, duke pasur parasysh që ky sektor ka peshën kryesore për sa i takon volumeve.
Në vlerë, monetare, eksportet e mineraleve për vitin e kaluar ranë me 28%, ndërsa importet me 17%.

Rënia e volumeve të transportit detar ka vijuar edhe në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, për dymujorin e parë, volumet e ngarkim-shkarkimit të mallrave nga portet shqiptare kanë rënë me 6.4%.
Ndërkohë, një rënie akoma më të thellë vitin e kaluar pësoi transporti hekurudhor i mallrave, që zbriti në 76 mijë tonë, 62% më pak krahasuar me vitin 2015.
Rënia e volumeve të transportit hekurudhor lidhet kryesisht me ngadalësimin e aktivitetit të kompanisë “Kurum”, që në fillim të vitit 2016 nisi një procedurë falimenti për riorganizim, si pasojë e pamundësisë afatshkurtër për shlyerjen e borxheve të shumta.
Ndonëse ka një shtirje të kufizuar, transporti hekurudhor i mallrave është i rëndësishëm për industrinë, duke qenë se ofron kosto më të ulëta krahasuar me transportin rrugor.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.