Kriza e koronavirusit rihap debatin e Shengenit për Rumaninë, Kroacinë dhe Bullgarinë!
Lëvizja nëpër Europë gjatë një pandemie mund të nënkuptojë radhë të gjata dhe kontrolle të rrepta kufitare. Deputeti rumun Dacian Ciolos kohët e fundit filmoi udhëtimin e tij 20-orësh nga Bukureshti për në Bruksel.
Situata po evoluon ngadalë. Me udhëzimet e reja të BE, shumë vende po kërkojnë të rihapin kufijtë, veçanërisht për të rritur industrinë e turizmit. Nënkryetari i BE Margaritis Schinas tha se rekomandimet ishin shumë të qarta. “Nuk ka vend për diskriminim,” tha ai. “Çdo masë duhet të bazohet në udhëzimet tona, dhe duhet të jetë jo-diskriminuese në natyrë.”
Sidoqoftë, jo të gjitha vendet e BE-së do të kenë të njëjtin trajtim. Tre anëtarë qëndrojnë jashtë zonës pa viza të Shengenit – Kroacia, Rumania dhe Bullgaria. Kriza e koronavirusit, u dha anëtarëve të Shengenit një shije të realitetit të ashpër të udhëtimit nga vendet jo-Shengen, sipas eurodeputetit rumun Dragoș Tudorache.
“Ajo që ka ndodhur gjatë dy muajve të fundit për të gjithë qytetarët e BE-së, ka ndodhur për qytetarët e Rumanisë, Bullgarisë, Kroacisë për 12-13 vitet e fundit.” Rumania dhe Bullgaria u bashkuan me BE në 2007, por shqetësimet për sundimin e ligjit kanë dëmtuar përparimin e tyre. Kroacia, e cila u bashkua me BE në 2013, kaloi në hapat e ardhshëm të procesit, me Komisionin duke i lavdëruar ato në tetor 2019.
Tudorache po kërkon një mesazh politik, një shenjë, që ata që janë në listën e pritjes Shengen të mund të konsiderohen për pranim. Ndërsa Parlamenti Europian dhe Komisioni mendojnë se Rumania, Bullgaria dhe Kroacia janë teknikisht të gatshëm për t’u bashkuar, disa vende anëtare, të tilla si Franca dhe Holanda nuk janë të gatshme t’i pranojnë ato.(Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.