Kriza pezullon ndryshimet në taksa – Ministria e Financave shtyn konsultimet për strategjinë afatmesme të të ardhurave

Qeveria ka vendosur që të mos ndërmarrë asnjë politikë fiskale përsa kohë që të zgjasë kriza e cila është shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë. Ministria e Financave ka bërë me dije se janë shtyrë konsultimet për strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026 e cila ishte hartuar si draft dhe synon të sjellë disa ndryshime në regjimin tatimor në vend.
Sipas Ministrisë së Financave deri në përfundimin e plotë të krizës do të ketë një pezullim të çdo lloj ndërhyrje të mundshme të parashikuar për këtë vit, pasi ende nuk dihet se cilat do të jenë pasojat reale në ekonomi përgjatë këtij viti. Dokumenti pasqyron reformat në fushën e politikave tatimore, administrimit tatimor dhe doganor që parashikohen të ndërmerren gjatë një periudhe pesë vjeçare.
Strategjia 2022-2026, synon të rrisë të ardhurat buxhetore me 1,1 mld euro, prej të cilave 640 milionë euro pritet të arkëtohen përmes rritjes së tarifat dhe taksave, heqjes së përjashtimeve dhe pragjeve të TVSH-së, akcizës, Tatimfitimit, rritja e taksës së pronës dhe pjesa tjetër nga lufta ndaj informalitetit. Parashikohen të rikthehen tatimet fikse dhe ato mbi xhiron në bizneset e vogla dhe të vendoset TVSH mbi banesat e reja.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo strategji pritet tu vijë në ndihmë operatorëve ekonomikë në lidhje me strategjitë e biznesit, të cilat kërkojnë qëndrueshmëri në politikat fiskale me qëllim programimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve në terma afatgjatë. Qeveria që në paketën fiskale për vitin 2022, në konsultim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka nisur politikën e heqjes së përjashtimeve tatimore per kategori të ndryshme.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.