Kriza politike në Maqedoni – Ivanov u dërgon letër ndërkombëtarëve, ku fajëson platformën e hartuar nga Tirana
Kriza politike në Maqedoni nuk ka ende zgjidhje, teksa Presidenti Gjorge Ivanov duket se nuk do të tërhiqet nga vendimi për të mos mandatuar qeverinë e përbërë nga LSDM dhe partitë shqiptare.
Ivanov ka dërguar një letër drejtuar presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk, Sekretarit të përgjithshëm të Natos Jens Stoltenberg, disa anëtarëve të Këshillit Europian si dhe partnerëve strategjikë, presidentëve të Turqisë dhe SHBA, Erdogan dhe Trump. Në këtë letër ai përshkruan gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë, e cila vazhdon të mbetet në krizë të thellë politike prej dy vjetësh e gjysmë.
“Më 11 dhjetor 2016 u mbajtën zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat u përshëndetën nga të gjitha palët. Por në vend të daljes nga kriza dhe fokusimit në përmbushjen e reformave prioritare, ne sërish u gjendëm në një krizë të thellë politike. Pas zgjedhjeve, tre nga katër partitë politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë, të mbështetuta nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Tiranë krijuan Platformën për shqiptarët e republikës së Maqedonisë”, shkruan Ivanov.
Ndërkohë shqetësimet e Shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini që kjo krizë institucionale të mos shndërrohet në krizë ndëretnike, duket se janë me vend, pas një sulmi të orëve të para të mëngjesit në Manastir. Katër persona të maskuar janë përpjekur t’i vënë flakën Shtëpisë së Alfabetit, ndërkohë policia ka gjetur dhe një shishe molotov.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.