Kroacia do të shpenzojë 101 milionë dollarë për internetin
Kroacia ka një plan prej 101.4 milionë dollarësh për të ofruar internet me akses të shpejtë atje ku nuk ofrohet aktualisht, sidomos në zonat rurale.
Tregu aktual kroat karakterizohet nga çmimet e larta dhe normat e ulëta të përdorimit krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian. Ndaj edhe Komisioni Europian e ka përshëndetur dhe e mbështet planin e “Rrjetit të Gjeneratës së Ardhshme”.
Skema synon të përmirësojë gjendjen në tregun vendas dhe do ta ndihmojë Kroacinë të përmbushë kërkesat e vendosura nga Komisioni në kuadër të tregut të unifikuar dixhital.
Infrastruktura e re do të financohet kryesisht nga Fondi Europian për Zhvillim Rajonal dhe pjesërisht nga fonde kombëtare, dhe rrjeti do të qëndrojë në pronësi publike.
“Skema e internetit broadband në Kroaci do të sjellë internet më të shpejtë për konsumatorët dhe bizneset, të cilat aktualisht nuk e kanë. Kjo do të ndihmojë të ngrejë infrastrukturën e nevojshme që Kroacia të kontribuojë për të krijuar një treg dixhital të përbashkët brenda Europës”, u shpreh Komisionerja Margrethe Vestager.
Mungesa e interesit nga operatorët privatë për të investuar në zonat që prek skema, do të bëjë që ndërmarrja publike OiV të ofrojë në të ardhmen kontrata afatgjata të infrastrukturës.
Shpejtësia e internetit të ofruar do të jetë deri në 1 Gbit/s simetrike, pra në upload dhe download dhe synon të shtrihet në shkolla, institucione dhe shërbime të tjera që në vitin 2020.
Rrjetet me akses të gjeneratës së ardhshme në Kroaci janë të disponueshme për vetëm 60% të shtëpive, krahasuar me 76% në BE. Mesatarisht vetëm 10% e kroatëve abonohen për këtë shërbim, ndaj mesatares europiane prej 37%
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.