Kroacia drejt euros – Guvernatori i Bankës Qendrore flet për përfitimet nga adaptimi
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kroacisë, Boris Vujcic, tha se adaptimi i euros do të ofrojë përfitime të shumta dhe të qëndrueshme për ekonominë, pavarësisht se nuk dha detaje së kur do t’i bashkohet mekanizmit të kursit të këmbimit (ERM2).
Kryeministri Andrej Plenkovic tha në fund të vitit të kaluar se synon që vendi më i ri anëtar i Bashkimit Europian të përdorë euron brenda 7 vitesh. Ai tha se Kroacia kërkon t’i bashkohet mekanizmit të kursit të këmbimit, që është periudha e pritjes përpara se të zëvendësohet valuta, në kohën që vendi merr presidencën e Bashkimit Europian në vitin 2020.
“Përfitimet janë të shumta dhe të qëndrueshme, ndërsa kostot, të vogla dhe të njëhershme”, tha Vujcic, mandati 6-vjeçar i të cilit skadon në Korrik. Sipas tij, avantazhi më i madh është largimi i rrezikut të valutës, ndërkohë që pjesa më e madhe e depozitave dhe 54% e kredive vendase janë të indeksuara në euro.
Borxhi total i denominuar në euro arrin në 150% të PBB. Adaptimi i euros do të reduktojë gjithashtu kostot rregullatore për sektorin bankar, që zotërohet në masën 90% nga banka të vendeve të tjera të BE. Ai nuk dha detaje se kur Kroacia do të bashkohet mekanizmit të zëvendësimit, që synon stabilitetin e valutës për 2 vite. Banka Qendrore e mban kunën në një varg nga 7.3 në 7.7 për euro.
Megjithatë, Kroacia ka ende kohë për të reduktuar pabarazitë makroekonomike, si borxhi publik dhe reformat strukturore. Borxhi pritet të bie në 70% të PBB në 5 vitet e ardhshme, nga 80% që është tani.
“Procedurat gjyqësore janë të gjata, kuadri rregullator ndryshon shpesh dhe disa rregulla mund të jenë kontradiktore. Ka një mospërputhje mes edukimit dhe kërkesave të tregut të punës, dhe sistemi i pensionit dhe shëndetësisë, nëse nuk bëhet subjekt i reformave, mund të rezultojë në rreziqe fiskale në të ardhmen”, tha Guvernatori, duke shtuar se taksat janë ende shumë të larta.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.