Krocieret “ndezin motorët” drejt Shqipërisë – Linjat prestigjioze: “Mundësi fantastike në Mesdhe”

Potenciali i Shqipërisë si një destinacion i ri në Mesdhe ka qenë në vëmendjen e të gjitha kompanive të mëdha që operojnë në këtë sektor gjatë megaeventit të përvitshëm në Hamburg.
Drejtorët e kompanive prestigjioze nga e gjithë Europa shprehen se paqëndrueshmëria politike në Afrikën veriore dhe shqetësimet mbi sigurinë në Turqi, kanë detyruar linjat të kërkojnë për destinacione alternative.
Gianni Onorato, CEO i “MSC Cruises”, kompani e cila ofron udhëtime edhe drejt Shqipërisë së Jugut shprehet se pasagjerët janë të kënaqur nga Saranda. Kjo linjë ofron tetë ekskursione në vend, përshirë edhe “fshatrat e rivierës shqiptare”, Butrintin dhe Gjirokastërn, si edhe turin në plazhin e Ksamilit.
Fakti që Shqipëria ofron një alternativë mikpritëse ndaj destinacioneve të tjera të njohura, sidomos tani që pasagjerët kërkojnë vende të reja, interesante dhe të pazbuluara, e bën Shqipërinë një mundësi fantastike. Deklarata vjen nga Kyriakos Anastassiadis, CEO i Celestyal Cruises dhe kryetar i Shoqatës së Linjave Ndërkombëtare të Krociereve.
Anastassiadis shton se Shqipëria është edhe një vend me numër në rritje pasagjerësh, megjithatë tregu është ende i vogël por ofron mundësi për zhvillim. Pasagjerët nga Shqipëria në krocieret e kësaj linje janë ende të paktë në numër.
Vendi ynë shumë shpejt mund të përfshihet në një numër më të lartë linjash e udhëtimesh, pasi shumë kompani po shohin drejt zgjerimit të destinacioneve. Kështu “TUI Cruises” dhe “Costa Crociere” njoftojnë se ekipi i planifikimit të itinerareve po studion Shqipërinë.
Gjithashtu në fazë studimi është edhe grupi “Pullmantur”, i cili po analizon portet e vendit. CEO i kompanisë, Richard Vogel tha se Shqipëria mund të marrë një zhvillim të ngjashëm si Mali i Zi, i cili deri disa vite më parë ishte një destinacion shumë ekzotik, ndërsa tani është i mirëvendosur në treg dhe shumë popullor. Vogel tha se nuk do të nxitohej për të shtuar në itineraret e kompanisë edhe Shqipërinë, por viti 2020 është shumë i mundshëm.
Në takimin e ‘SeaTrade Europe’ marrin pjesë drejtuesit ekzekutivë të kompanive, planifikues itineraresh, operatorë teknikë, drejtorë hotelesh dhe shumë aktorë të tjerë nga industria e krociereve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.