Kryebashkiaku i Moskës: Qyteti është gati të humbasë rreth 200,000 vende pune

Kryebashkiaku i Moskës tha se qindra mijëra banorë të qytetit mund të humbasin punën e tyre pasi kompanitë perëndimore pezullojnë ose tërheqin operacionet e tyre nga Rusia.
“Sipas vlerësimeve tona, rreth 200,000 njerëz janë në rrezik të humbasin punën e tyre,” shkroi kryebashkiaku Sergei Sobyanin në një postim zyrtar në blog.
Në postim, Sobyanin tha se Moska kishte miratuar një program për mbështetjen e punësimit me vlerë 3.36 miliardë rubla, ose afërsisht 41 milionë dollarë, që do të ofronte punë të përkohshme ose trajnime për ata që nuk punojnë.
Sobyanin shkroi se rreth 58,000 punonjës pritet të përfitojnë nga programi dhe theksoi se Rusia do të sigurojë një kompensim mujor për fëmijët dhe kredi për bizneset e vogla dhe të mesme.
Komentet e Sobyanin vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të mohojë se sanksionet perëndimore kanë ndikuar në ekonominë e Rusisë.
“Tani mund të themi me besim se një politikë e tillë sanksionesh ndaj Rusisë ka dështuar”, tha Putin. “Strategjia e Blitzkrieg-it ekonomik nuk funksionoi. Për më tepër, vetë iniciatorët nuk mund t’i shpëtonin sanksioneve.”
Më shumë se 750 kompani kanë njoftuar publikisht se do të shkurtojnë operacionet në Rusi në një farë mase që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, sipas Yale School of Management.
Disa kompani janë zotuar të vazhdojnë të paguajnë punëtorët e tyre rusë edhe kur janë të mbyllur në vend, megjithëse është e paqartë saktësisht se edhe për sa kohë ata planifikojnë mbështetjen e tyre.
McDonald’s, një nga bizneset e para të mëdha që u tërhoq nga Rusia, tha se mbyllja e dyqaneve të saj në vend i kushton kompanisë 50 milionë dollarë në muaj pasi mban rreth 62,000 punëtorë vendas në listën e pagave. Disa nga lokacionet e saj janë ende të hapura për shkak se ekskluzivitet që zotërojnë dhe operojnë ato restorante kanë refuzuar të mbyllen, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.
Postimi i Sobyanin tregoi se Moska ende po përballet me një listë të gjatë krizash. Autoritetet e qytetit do të diskutojnë në dy javët e ardhshme se si kryeqyteti do të ruajë stokun e barnave pa importe dhe si do të mbajë në këmbë industrinë e tij të mikpritjes, shkroi ai.
“Ka shumë punë për të bërë, rezultatet e së cilës do të shfaqen vetëm pas disa vitesh”, ka shkruar Sobyanin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.