Kryemadhi takime në Washington: Duhet një politikë e re bashkëpunimi me SHBA për zhvillimin ekonomik të vendit
“Duhet një politikë e re në bashkëpunimin ekonomik me SHBA që t’i përshtatet më mirë zhvillimit aktual të ekonomisë së Shqipërisë dhe hapjes gjithmonë më të madhe te saj ndaj biznesit amerikan.”
Kështu ka deklaruar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë takimeve që ka pasur në Washington me zyrtarë të lartë të SHBA.
Konkretisht Kryemadhi, zhvilloi takime në Departamentin Amerikan të Tregtisë, ku në Byronë e Industrisë dhe Sigurisë zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Tregtisë për Menaxhimin e Eksportit Richard Ashooh.
Ndihmës Seketari Ashooh shprehu interesin për të asistuar Shqipërinë gjerësisht në hartimin e legjislacionit, akteve rregullatorë dhe metodave të monitorimit, dhe partneritetit reciprok për çështje që lidhen me industrinë dhe sigurinë industriale.
Kryemadhi konfirmoi gatishmërinë maksimale të Lëvizjes Socialiste për Integrim që ajo të jetë mbështetëse por edhe promovuese e hartimit të legjislacionit në këtë fushë kaq të rëndësishme. Ajo siguroi se me t’u përgatitur një legjislacion i tillë do të komunikojë me të gjithë aktorët e tjerë politikën e Shqipëri që kjo paketë legjislative e nevojshme për zhvillimin e vendit në tërësi por dhe sigurinë kombëtare në veçanti, të miratohet në një kohë sa më te shpejtë dhe Shqipëria të ketë standardet më të larta ndërkombëtare bashkëkohore në këtë fushë.
Në vijim të takimeve në Departamentin Amerikan të Tregtisë me fokus shkëmbimet tregtare, investimeve midis dy vendeve dhe rritjen e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri, Kryemadhi zhvilloi një takim me Sarah Kemp, Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për Investime Ndërkombëtare.
Zv.drejtorja e Përgjithshme Kemp evidentoi se Shqipëria ka nevojë për një qëndrueshmëri më të lartë fiskale në mënyre të veçantë për sistemin e taksave pasi ndryshimi i shpeshtë i tyre nuk është inkurajues për ardhjen e bizneseve amerikane por dhe atyre të huaja në përgjithësi.
Ajo shtoi se Shqipëria mund të bëhet një vend strategjik rajonal për investimet Amerikane në infrastrukturë, energjetikë, manifakturë e shërbime, me shtrirje edhe rajonale si në Kosovë, Maqedonia, Mal të zi, etj., duke pasur si qendër Shqipërinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.