Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Sarajevë – Diskutohet krijimi i tregut të përbashkët

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Sarajevë, në kuadër të procesit të Berlinit.
Tema kryesore e biseduar gjatë këtij samiti ka qenë krijimi i një tregu të lirë të përbashkët mes këtyre vendeve të Ballkanit. Ideja për unionin doganor ballkanik nuk është e re, pasi kryeministri serb Vucic ka deklaruar në shkurt se diçka të tillë e kishte diskutuar edhe me kryeministrin shqiptar Rama dhe atë të Bosnje-Hercegovinës Zvizdic.
Gjatë konferencës për shtyp pas takimit, komisioneri europian Johannes Hahn ka përgëzuar gjashtë kryeministrat për këtë event. Sipas tij është një gjest simbolik që tregon progresin e bërë për integrimin europian.
“Takimi ishte kryesisht i fokusuar në zhvillimin ekonomik të rajonit. Ideja e disa kryeministrave ishte të punonin për krijimin e një tregu të përbashkët që do të eliminojë disa barriera për produktet me certifikatat të njohura nga të gjitha vendet. Nga një përllogaritje fillestare, vlerësuam se një iniciativë e tillë do të krijojë rreth 80 mijë vende të reja pune”, u shpreh Hahn.
Komisioneri për fqinjësinë dhe negociatat për zgjerimin, gjithashtu siguroi kryeministrat se Bashkimi Europian e konsideron integrimin e këtyre vendeve me interes dhe seriozitet.
“Gjithsesi, ka ende shumë objektiva për t’u arritur, në mënyrë që zhvillimi dhe progresi i deritanishëm në këtë proces, të bëhet i prekshëm edhe nga populli. Vlera e shtuar do të ishte të ndjejnë se ç’do të thotë të punosh me Bashkimin Europian, një ekonomi më të mirë për ta, një personel më i kualifikuar dhe më shumë para në xhepat e tyre”, tha komisioneri Hahn.
Në fund kryeministrat e vendeve të tjera nuk preferuan të bëjnë komente nga takimi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.