Kryeministrat vs qytetarët – Në Kosovë 5.6 dhe në Shqipëri paguhet 4.8 herë më shumë se paga mesatare

Me vendimin më të fundit, Ramush Haradinaj jo vetëm që rriti ndjeshëm pagën e tij, por arriti që ti rrëmbejë vendin e parë, pikërisht kryeministrit të Shqipërisë, si kryeministri më i paguar në rajon, pra mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas Kosovës dhe Shqipërisë që zënë dy vendet e parë, lista vijon me kryeministrin e Maqedonisë, i cili merr një pagë mujore bruto prej 79896 dinarë, ç`ka përkthehet në 1300 euro në muaj.
Më pas ndjekin dy kryeministrat e Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës me nga 1100 euro përafërsisht. Në vend të fundit është kryeministrja e Serbisë, e cila paguhet rreth 900 euro. Por, në terma absolutë, kjo nuk tregon asgjë. Në rast se e krahasojmë me pagën mesatare në secilin prej vendeve, atëherë shifrat marrin një tjetër domethënie. Krahasimin do ta bëjmë me pagën bruto, si në rastin e kryeministrave, ashtu edhe në rastin e pagës mesatare në secilin prej 6 vendeve.
Kryesimi i tabelës nuk ndryshon aspak, por shifrat e krahasuara tregojnë një situatë edhe më të rëndë. Kryeministri i Kosovës ka një pagë 5.6 herë më të lartë se ajo mesatare në vendin e tij. Ai i Shqipërisë ka një pagë mujore 4.8 herë më të lartë se ajo mesatare në Shqipëri.
Në vend të tretë është kryeministri i Maqedonisë, me një pagë 2.3 herë më të lartë se ajo mesatare. Më pas ndjek ai i Serbisë me 2.25 herë më të lartë, ai i Bosnje Hercegovinës vetëm 1.6 herë më të lartë dhe ai i Malit të Zi vetëm 1.4 herë më të lartë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.