Kryeministri i ardhshëm i Kosovës – 5 kandidatët kryesorë dhe profili i gjithsecilit
Partitë politike në Kosovë kanë zbuluar të martën emrat të cilët do të kandidojnë për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 11 Qershorit.
Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, Isa Mustafa është tërhequr nga kandidimi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur për të garuar me Avdullah Hotin, i cili ka mbajtur funksionin e ministrit të Financave në qeverinë e Mustafës.
Hoti është një ekonomist dhe profesor, i diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer studimet e doktoraturës në Britani, në Universitetin e Staffordshire për Ekonomiks. Krahas karrierës si Ministër Financash dhe pedagog, Hoti ka qenë edhe nënkryetar i Komunës së Prishtinës nga viti 2010-2013.
Vetëvendosje pritet të formalizojë kandidaturën e ish-kryetarit Albin Kurti nesër me një votim në Këshillin e Përgjithshëm të partisë. Ndërkohë, nga radhët e PDK-së, emri i kryetarit Kadri Veseli është ai i cili me shumë gjasa do të zgjidhet të garojë për kryeministër.
Të dy këta kandidatë kanë qenë të lidhur ngushtë me Luftën e Kosovës: Veseli është një nga themeluesit e UÇK, ndërsa Kurti ka shërbyer si sekretar i zyrës së përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit.
Kurti u dënuar me 15 vite burg në vitin 2000 në Nish nga autoritetet serbe dhe u lirua më dhjetor të vitit 2001. Më pas ai u diplomua në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, duke vepruar në KAN, e cila më pas u shndërruar në Lëvizjen Vetëvendosje. Albin Kurti është lideri historik i kësaj lëvizjeje.
Kadri Veseli nga ana tjetër, ka nisur studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Prej rrethanave politike, ai u detyrua të vijonte arsimin në Tiranë në degën Agronomi. Në Tiranë ai vijoi misionin e organizatës për çlirimin e Kosovës. Në vitet në vijim ai bashkërendon aktivitetet e luftës së armatosur nga Zvicra, Shqipëria, etj., derisa emërohet si komandant i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit të UÇK-së deri në fund të luftës.
Në fund të vitit 2012, Veseli u anëtarësua në PDK, ndërsa në Mars të vitit 2016, ai u zgjodh kryetar i kësaj partie. Gjatë këtij mandati ai mbajti postin e kryetarit të Kuvendit.
Sonte është edhe afati përfundimtar i caktuar nga KQZ që partitë të paraqesin koalicionet zgjedhore, ndërsa partitë e tjera pritet të propozojnë edhe emrat e tyre për kandidatë si kryeministër.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lajmëruar arritjen e një marrëveshjeje koalicioni me Partinë Social Demokrate dhe Ballin Kombëtar. Këtij koalicioni duhet t’i shtohet edhe Nisma për Kosovën, e cila ka nënshkruar një marrëveshje të tillë para më shumë se një viti.
Nga radhët e AAK, është kryetari Ramush Haradinaj kandidatura e pritshme për kryeministër.
Haradinaj ka qenë komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së dhe pas luftës u emëruar zëvendëskomandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Në vitin 2000 ai largohet nga jeta ushtarake për të themeluar AAK, e në dhjetor 2004 zgjidhet kryeministër i Kosovës. Në Mars 2005, ai akuzohet nga Gjykata për Krime Lufte dhe detyrohet të japë dorëheqjen. Në vitin 2008 ai u shpall i pafajshëm.
Nga ana tjetër, Partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, është në negociata të vazhdueshme me pothuajse të gjitha palët politike për të arritur në një marrëveshje koalicioni. Edhe në këtë rast, është vetë Pacolli, kandidati i kësaj partie për kryeministër.
Pacolli është ish-president dhe ish-zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës. Ai ka studiuar në Gjermani pranë Institutit të Tregtisë së Jashtme dhe zotëron master në Marketing dhe Manaxhim nga Instituti Mosinger në Zyrih. Nga viti 1977 ai ka patur funksione si drejtor, titullar dhe president për një sërë kompanish zvicerane dhe ndërkombëtare. Ai është angazhuar në një sërë veprimtarish humanitare duke mbështetur, financuar dhe lobuar për Kosovën. Në vitin 2005 ai formon Aleancën Kosova e Re në Uashington, si organizatë lobuese për Kosovën, ndërsa në vitin 2006 krijon partinë politike në vend, e cila renditet e treta në zgjedhjet e para të 2007-ës.
Në total, nga pesë kandidaturat kryesore për kryeministër, vihet re se dy prej tyre, Kurti dhe Hoti nuk janë kryetarë partie.
Pas depozitimit të koalicioneve parazgjedhore, sonte në mbrëmje, pritet të bëhen edhe më të qartë skenarët e zgjedhjeve dhe shanset reale të secilit prej kandidatëve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.