Kryeministri i landit të Hesenit: Stabiliteti në Ballkan, i rëndësishëm edhe për landin tonë
Sipas kryeministrit të landit të Hesenit, Volker Bouffier, stabiliteti në rajonin e Ballkanit është edhe në interes të këtij landi. Bouffier e përshkroi si mjaft pozitive vizitën e tij të fundit në Serbi dhe Shqipëri.
“Ne nuk duhet t’i lëmë këto vende të merren vetë me problemet e tyre, sepse vetëm kështu sigurohemi që populli nuk do të largohet nga atdheu i tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë”, u shpreh ai ditën e shtunë për mediat.
Bouffier mbështet gjithashtu procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Serbisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë dy vendet kandidate duhet të vazhdojnë rrugën e reformave dhe të krijojnë një sistem ligjor të qëndrueshëm. Siguria ligjore sipas tij është një faktor shumë i rëndësishëm për të gjetur investitorë.
Gjatë vizitës të tij në Shqipëri, delegacioni i landit gjerman u takua me përfaqësues të rëndësishëm të politikës shqiptare si dhe me një grup studentësh të cilët përfitojnë nga fondi i këtij landi.
Qeveria e landit të Hesenit premtoi vazhdimin e mbështetjes në kualifikimin profesional, përmes trajnimeve, internshipeve dhe financimeve për bizneset start-up.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.