Kryeministri i Libanit, jep dorëheqjen mes protestave që kanë kapluar vendin!
Kryeministri i Libanit, Saad Hariri ka deklaruar se po jep dorëheqjen, mes protestave që kanë kapluar vendin prej dy javësh. Ai ka theksuar se Libani kishte arritur në një bllokim dhe kishte nevojë për një tronditje për të zgjidhur krizën në të cilën ndodhet vendi, kjo pasi Libani ka një ndër nivelet më të larta të borxhit në botë.
Dyshohet se shkaku kryesor i protestave është planifikimi i rritjes së taksave ndaj benzinës, duhanit dhe telefonatave në rrjet, përfshirë këtu edhe WhatsApp. Protestuesit kanë bllokuar rrugët për ditë të tëra radhazi duke bërë thirrje për revolucion, ndërkohë që protestat ngjasonin me revoltat arabe të vitit 2011, që rrëzuan katër presidentë. Skena të ngjashme me festivale mbuluan vendin, nga Bejruti e deri tek qytetet e largëta, ndërkohë që protestuesit këndonin këngë patriotike dhe kërkonin largimin e liderëve të tyre.
Protestat kundër Qeverisë, të nxitura nga kushtet e vështira ekonomike dhe korrupsioni, kanë marrë vrull në të gjithë vendin nga 17 Tetori, kjo pasi qeveria kishte lajmëruar një tarifë ditore prej 20 cent për telefonatat e bëra nëpërmjet WhatsApp dhe aplikacioneve të tjera, por e braktisi planin më vonë prej përplasjes së protestuesve me forcat e sigurisë. Ndërsa policia ka provuar të ndajë grupet rivale, duke shpërndarë gaz lotsjellës.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.