Kryeministri moldav optimist për sigurimin e fondeve nga BE për vitin e ardhshëm

Kryeministri i Moldavisë Pavel Filip u shpreh optimist për përmbushjen e të gjitha kushteve për të marrë fonde vitin e ardhshëm nga Bashkimi Evropian në kuadrin e një marrëveshjeje prej 100 milionë eurosh.
Ai tha se financat publike janë përmirësuar ndjeshëm si rezultat i reduktimit të burokracisë dh qeverisjes së mirë fiskale. Kjo sipas tij, do ta lejojë atë të marrë fonde nga BE –ja vitin e ardhshëm.
Bashkimi Evropian që qershor të këtij viti ra dakord që të ofrojë 60 milionë euro kredi dhe 40 milionë euro grante gjatë vitit 2017 – 2018 për të ndihmuar Moldavinë për të stabilizuar ekonominë e saj. Sipas BE –së, kusht për këtë ishte respektimi i procesit demokratik dhe sundimi i ligjit.
Pak ditë më parë Filip tha se nuk do të marrë asnjë këst këtë vit nga BE – ja, por sot në fjalën e tij për Reuters, tha:
“Jemi të etur për një financim nga BE në 2018. Jemi të sigurt që të gjitha kushtet do të përmbushen.”
Ekonomia e Moldavisë u rrit me 4.1 për qind vitin e kaluar, duke u shëruar kështu nga një tkurrje prej 0.4 për qind e vitit 2015, e cila erdhi pjesërisht për shkak të një krize ekonomike ruse e cila goditi eksportet dhe remitancat nga moldavët që punojnë atje.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë se Moldavia do të rritet me 4 – 4.5 për qind këtë vit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.