Kryeministri Rama mbledh Komitetin Kombëtar të Rindërtimit! Figurat publike, ekspertët dhe qeveria në një tryezë. Ja propozimet
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë pasdite Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, pas tërmetit tronditëse me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, që la pas 51 viktima e qindra të plagosur.
Në daljet e tij publike kryeministri e ka theksuar rëndësinë që kjo fatkeqësi do të kërkojë në menaxhimin e situatës për kthimin e banorëve drejt jetës normale, duke kërkuar kështu ndihmën e të gjithë aktorëve publikë për organizimin dhe ndarjen e punëve.
Mbledhja e ditës së sotme u drejtua nga Kryeministri Rama me përbërje nga qeveria, organizatat humanitare, Akademia e Shkencave, Universiteti, Sipërmarrja, Bankat, Inxhinierët, Arkitektët&Urbanistët, në tryezën e Këshillit të Ministrave.
Në fjalën e tij, Rama tha se duhet të jemi “Të bashkuar për t’u ringritur. Ky komitet është garant i të gjitha palëve të mbledhur. Gjithçka që do dalë këtu thjesht do marrë vulën e qeverisë pa diskutime dhe pa dyshim”.
Deri më tani si pasojë e tërmetit është krijuar ky komitet i rëndësishëm dhe është vendosur një ministër koordinues për përballimin e situatës.
Në gjendjen e emergjencës kryeministri shpalli krijimin e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit. Komiteti do të ketë kompetencat e një ministrie të posaçme dhe do të drejtohet nga Arben Ahmetaj, aktualisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe ish ministër i Financave.
Ndërkohë shefi i ekzekutivit ka ngarkuar edhe ministrin Bledi Çuçi me kompetencën e ministrit të jashtëzakonshëm, i cili do të drejtojë operacionet bashkërenduese të qeverisë. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Rama njoftoi se të gjithë duhet të përgjigjen ndaj ministrit:
“Të gjithë që jeni ulur këtu në tavolinë jeni të detyruar të jenë në këmbë dhe në funksion të drejtuesit të operacionit. Mandati i Çuçit është fuqiplotë dhe për këtë temë ai është ministri fuqiplotë, të gjithë të tjerët janë në funksion. Çuçi është komisar fuqiplotë, duhet të ndiqen të gjitha ato që kërkohen, një për një.”
Këto struktura të ngritura do të jenë të gjitha në funksion të operacionit që pritet t’i ofrojë zonave të prekura nga tërmeti mundësi të reja për tu ringritur. Kryeministri premtoi transparencë me të gjithë fondet e mbledhura si kusht kryesor dhe ka hedhur gjithashtu idenë e ndërtimit të një buxheti të vetëm me fondet e mbledhura, i cili do të quhet sipas tij “Buxheti i Rindërtimit”:
“Edhe buxheti i shtetit, ajo pjesë që do të vendoset në funksion të programit, duhet të jetë i monitoruar nga transparenca. Po ashtu edhe fondet e mbledhura nga organizatat e solidaritetit, edhe pjesët e dhuruara nga miqtë e Shqipërisë, duhen shpërndarë me transparencë.”
“Unë propozoj gjithashtu që të gjitha fondet e mbledhura nga organizata, ndihmat humanitare, financimet e shteteve partnere dhe miqve të tjerë të mirë të shtetit tonë të mblidhen të gjitha së bashku në një mënyrë transparente duke krijuar kështu një buxhet të vetëm, që do të përdoren vetëm për qëllimin e rindërtimit.” – u shpreh kryeministri gjatë mbledhjes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.