Kryeqyteti 360°-Martesat, divorcet, si dhe fatalitetet gjatë pandemisë në kryeqytet
Pothuaj çdo ditë informohemi mbi ngjarje nga vendi, rajoni apo bota. Kryesisht, informacionet që priremi të marrim lidhen me aktulitetin, politikën, ekonominë, dhe së fundmi me pandeminë edhe mbi shëndetin. Analizat e “Scan Intelligence Unit” në këtë cikël do ta largojnë vëmendjen nga lajmi i zakonshëm duke sjellë për publikun informacione interesante te cilat do të përqëndrohen mbi zonat kryesore të kryeqytetit.
Gjatë kohëve të fundit në shumë lajme fjala kyç ka qenë pandemia si dhe ndikimi i saj. “Scan Intelligence Unit” nuk do të analizojë këtë herë ndikimin e pandemisë në sferën ekonomike apo politike, por do të shohim së bashku se si ka ndikuar pandemia në fenomene të ndryshme sociale. Si ka ndikuar te divorcet ? Po te martesat? Cila zonë e Tiranës rregjistron më shumë fatalitete gjatë pandemisë? Nga ana tjetër do të ketë dhe informacione në lidhje me lagjet më të zhurmshme të Tiranës, si dhe lagjet e preferuara të saj.
“21 Dhjetori”, “M.Shyri”, “Kombinati”, lagjet me rritjen më të lartë të vdekjeve gjatë pandemisë, deri në 54%. “Lapraka”, “Ali Demi” dhe “Tirana e Re” në vend të fundit
Le ta nisim me ndikimin kryesor që ka patur pandemia, atë në jetë njerëzish. E veçanta është se në këtë analizë fokusi nuk do të jenë qarqet e Shqipërisë, por zonat e Tiranës.
Një ndër indikatorët më të rëndësishëm për të matur pandeminë, por sidomos për të matur impaktin e saj real në popullsi, është pikërisht ai i jetëve të humbura. Pikërisht ky indikator është kthyer vazhdimisht në objekt debati edhe në Shqipëri. Tirana është pikërisht qarku më i prekur, dhe shifrat flasin për një rritje të numrit të vdekjeve me 37% në këtë bashki, krahasuar me vitin paraardhës.
Në total, Tirana si bashki numëron rreth 1571 vdekje më shumë se viti paraardhës. “Scan Intelligence Unit” ka bërë një analizë të thellë të të dhënave zyrtare, duke nxjerrë në pah disa shifra të rëndësishme sa i përket zonave të Tiranës që kanë pësuar edhe godijet më të mëdha në jetë njerëzish, me shumë gjasa, si pasojë e pandemisë. Shifrat zyrtare tregojnë vetëm numrin e vdekjeve, por jo arsyen.
Por, rritja e ndjeshme sinjalizon se është efekt i Covid-19. Krahasimi është bërë si kundrejt mesatares së vdekjeve për njësi administrative për vitet 2010-2019, ashtu edhe krahasuar me vitin 2019. Kjo e fundit, pra krahasimi me vitin parardhës, duket se i jep nuanca më realiste këtyre shifrave, duke qenë se flukset migratore në Tiranë gjatë 10 viteve të fundit kanë qenë mjaft të larta, sidomos në njësitë e reja; Kashar, Dajt, Farkë. Gjithsesi, të dyja shifrat, si ndryshimi vjetor krahasuar me 2019, ashtu edhe ai me mesataren 2010-2019 nxjerr një panoramë të përafërt.
Por, cilat janë lagjet e Tiranës që kanë humbur më shumë jetë njerëzore gjatë 2020-ës, krahasuar me vitet paraardhëse? Në vend të parë kemi njësinë Kashar, e njohur ndryshe si “Zona e Astirit”, apo e “Unazës së re”, me një rritje prej 55% të vdekjeve krahasuar me vitin paraardhës. “Scan Intelligence Unit” i ka kryqëzuar këto të dhëna edhe me ndryshimet e numrit të popullsisë për secilën njësi administrative, duke qenë se rritja mund të jetë edhe efekt i rritjes së flukseve. Pikërisht kjo njësi, e “Astirit”, regjistron edhe rritjen më të madhe të popullsisë mes të gjitha njësive të tjera në kryeqytet gjatë 2020-ës, me 9%. Duke qenë se është e pamundur të llogarisësh efektin e kësaj rritje në atë të vdekjeve, kësaj njësie duhet t`i zhveshim një pjesë të përqindjes së rritjes së vdekjeve nga 2019, në 2020, por pa ditur se sa.
Duke qenë se diferenca me njësinë e dytë në listë, atë Nr.7 është me vetëm 1 pikë përqindje, atëherë mund të deduktojmë se është pkërisht kjo njësi, ose zona pranë “21 dhjetorit”, ajo që ka pësuar humbjet më të mëdha nga pandemia në jetë njërëzore, me një rritje prej 54% në terma vjetorë, dhe prej rreth 57% krahasuar me mesataren 2010-2019.
Edhe në terma absolut, me 205 vdekje më shumë gjatë vitit të pandemisë, krahasuar me atë paraardhës, kjo njësi është në vend të parë, tregojnë shifrat zyrtare. Më pas ndjek njësia “Farkë”, por edhe në këtë rast, duhet të zhveshim efektin e flukseve migratore, si njësi e re, dhe si e dyta pas “Kasharit” me rritjen më të maxhe të popullsisë gjatë 2020-ës, prej 8%. Njësia Nr.10, e njohur ndryshe si zona pranë rrugës “M.Shyri” është e radhës në listën e lagjeve më të prekura nga pandemia në Tiranë, sipas jetëve të humbura, me një rritje prej 49% në terma vjetor. Lapraka, ose njësia Nr.6 vijon, me një rritje prej 45%. Në rastin e “Laprakës”, popullsia ka shënuar rënie krahasuar me vitin paraardhës.
Po në kahun e kundërt të tabelës, pra lagjet me rritjen më të ulët të vdekjeve gjatë 2020-ës, ndër njësitë tradicionale dhe njësitë e reja, cilat janë? Në vend të fundit, si lagjia më pak e goditur nga pandemia, me një rritje prej “vetëm” 19% të vdekjeve në terma vjetor, rezulton të jetë njësia Nr.11, e njohur ndryshe si zona e “Laprakës”. Më pas, me një rritje prej 28% të numrit të vdekjeve, ndjek njësia Nr.1, ose zona e “Ali Demit”. Njësia Nr.5, ose e njohur ndryshe si “Tirana e Re”, e cila është edhe zona më e populluar e Tiranës, është e treta nga fundi sa i përket rritjes së numrit të vdekjeve, me 29%. Për të treja këto njësi, ndryshimi i popullsisë gjatë 2020-ës, rezulton në 0%.
“Scan Intelligence Unit” i ka kryqëzuar këto të dhëna edhe me moshën mesatare të secilës njësi përgjatë 2020-ës, duke qenë se fatalitetet nga Covid-19 janë më të larta në moshat e reja. Por, të dhënat nuk sinjalizojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes rritjes së numrit të vdekjeve dhe moshës mesatare për secilën njësi.
Përjashtimi i vetëm duket të jetë “Lapraka”, si një ndër lagjet me moshën mesatare më të ulët dhe njëkohësisht ajo me rritjen më të ulët të vdekjeve mes lagjeve tradicionale të Tiranës. Nga ana tjetër, Njësia Nr.6, “Kombinati” është ajo me moshën mestare më të ulët në Tiranën tradicionale, dhe ndërkohë është në krye të lsutës sa i përket rritjes së vdekjeve nga pandemia.
Por si duket situata mes ish-komunave, të cilat sot janë njësi administrative të Bashkisë Tiranë? Duket se për këto zona kryesisht rurale, pandemia është treguar më “tinëzare”. Për njësinë Krrabë, rritja e vdekjeve në terma vjetorë fiksohet në mbi 90%, ndërsa për atë “Shëngjergj” dhe “Zall Herr” pranë 80%. Këto norma janë njeshëm të larta se mesatarja e njësive tradicionale të kryeqytetit. Nësia e “Petrelës” dhe ajo “Zall Bastarit” janë të vetmet njësi të Tiranës së madhe që regjistrojnë rënie të numrit të vdekjeve. Për ish-komunat ndryshimet e popullsisë kanë qenë thuajse zero gjatë 2020-ës, sinjalizojnë shifrat zyrtare.
Pandemia ul divorcet në Tiranë. 30% më pak gjatë vitit 2020. “Tirana e Re” me numrin më të lartë, “Vaqarri” zero
Pandemia përtej efekteve negative, duket se përgjatë linjës së saj ka sjellë edhe efekte pozitive. Një nga këto efekte, që mbështetet edhe nga të dhënat më të fundit të Bashkisë së Tiranës është numri më i vogël i divorceve për vitin 2020 krahasuar me shifrat e vitit 2019. Gjatë vitit 2019 regjistroheshin 1890 divorce, ndërsa në vitin 2020 regjistrohen 1340 divorce, pra gati 30% divorce më pak.
“Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat për numrin e divorceve sipas Njësive Administrative për vitin 2020 duke dalë në përfundimin se brenda njëmbëdhjetë njësive të vjetra, njësia që ka patur numrin më të madh të divorceve është Njësia 5 ose e njohur ndryshe si “Tirana e Re” me 149 divorce, e ndjekur nga Njësia 2 ose “Qyteti Studenti” me 134 divorce. Brenda këtyre njësive, njësia me numrin më të vogël të divorceve të regjistruara është Njësia 10, e njohur si “Myslym Shyri”. Përtej njëmbëdhjetë njësive nga të dhënat shohim se njësia me numrin më të vogël të divorceve është njësia Krrabë dhe Petrelë me nga një divorc, ndërsa Njësia Vaqarr nuk rregjistron asnjë divorc gjatë viti 2020.
Krahasuar me vitin 2019, njësitë që kanë pësuar ndryshimi më të madh gjatë vitit 2020 janë Njësia numër 7 e njohur si “21 dhetori” me 110 divorce më pak, e ndjekur nga Njësia nr 5 ose “Tirana e Re”. Në Njësitë numër 8 ose “Selvia” dhe në njësinë e Kasharit, janë rritur numri i divorceve me 8 dhe 10 divorce respektivisht
Po ashtu “Scan Intelligence Unit” ka llogaritur numrin e divorceve për 1000 banorë. Nga grafiku i mëposhtëm tregohet se brenda njësive të vjetra, njesia me më shumë divorce për 1000 banorë është Njësia numër 8 ose ndryshe “Selvia” me 2.19 divorce për 1000 banorë, e pasuar nga Njësia 4 e njohur si “Kinostudio”me 1.83. Brenda njësive të vjetra njësia me më pak divorce është Njësia 10 me 1.3 divorce për 1000 banorë. Nga të dhënat për të gjitha bashkitë të marra së bashku shohim se Njësia e Shëngjergjit ka numrin më të madh të divorceve për 1000 banorë me 3.94. Njësia me numrin më të vogël është njësia e Petrelës me 0.15 divorce për 1000 banorë.
Tiranasit nuk martohen pa dasmë! Pandemia ul me 16% celebrimet në kryeqytet, “Selvia”, “Qyteti Studenti” dhe “Tirana e Re” me rënien më të madhe
Po në numrin e martesave a ka patur pandemia të njejtin ndikim pozitiv sit ë divorcet? Shifrat tregojnë që “jo” Numri i martesave, për qarkun Tiranë, për vitin 2020 është ulur me 16.07% në krahasim me vitin 2019, që përkthyer në shifra absolute do të thotë 670 martesa më pak. Po cilat janë njësitë që kanë parë rritje në numrin e martesave? Cilat njësi kanë numrin më të lartë të martesave për 1000 banorë dhe sa akte martesore janë nënshkruar në total për Bashkinë Tiranë?
Viti 2020 ka “vendosur” 12 kurora më shumë se në vitin 2019 në Njësinë Zall Bastar dhe 1 kurorë më shumë në Njësinë Farkë. Këto janë të vetmet njësi të cilat kanë njohur rritje në numrin e martesave krahasuar me 2019. Të gjitha Njësitë e tjera kanë pasur rënie në numrin e martesave gjë që duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Rregullat parandaluese të pandëmisë, dhe sidomos ato të ndalimit të dasmave duket se kanë pasur një ndikim të madh në këtë tendencë.
Nëse do të shqyrtonim numrin e martesave për njësitë “Dajt”, “Kashar” dhe “Njësia 5”, e njohur si “Tirana e Re” shohim se numri i akteve martesore ka rënë ndjeshëm ku, vetëm “Tirana e Re” numëron 80 kurora më pak. Njësitë Vaqarr dhe Krrabë po ashtu kanë shënuar rënie me 27 akte martesore më pak në Vaqarr dhe 2 akte martesore më pak në Krrabë. Njësia më e “goditur” për sa i përket numrit të martesave është Njësia nr.2 ose siç njihet ndryshe “Qyteti Studenti” me 98 martesa më pak se në 2019.
Për sa i përket njësive që kanë numrin më të lartë të martesave për 1000 banorë, përsëri në vendin e parë renditet Njësia Zall Bastar me 6.38 martesa për 1000 banorë. Pas Zall Bastar-it vijojnë Njësia Kashar dhe Njësia Zall Herr me përkatësisht 6.28 dhe 5.73 martesa për 1000 banorë. Numrin më të ulët për martesa në 1000 banorë e ka Njësia “Shengjergj” me 2.75 martesa dhe Njësia nr.10 që përfshin zonën “Myslym Shyri” me 2.90 martesa . “Myslym Shyri” vazhdon të mbetet “makthi” i çifteve. Njësitë Dajt, dhe “Tirana e Re” për vitin 2020 numërojnë 5.35 dhe 3.38 akte martesore për 1000 banorë.
Gjithsej, Bashkia Tiranë numëron 3498 akte martesore në 24 njësitë administrative të kryeqytetit. Nëse do të llogarisim numrin e martesave për 1000 banorë, Bashkia Tiranë do të kishte 4.11 martesa.
“Blloku” në qetësi, “zien” “Rruga e Elbasanit”. Cilat janë zonat më të zhurmshme të Tiranës?
Për të vijuar sërish me lagjet e Tiranës, le të prekim një problem që vijon të jetë shqetësues për shumë zona të kryeqytetit. “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e publikuara nga Bashkia e Tiranës mbi ndotjen akustike në disa zona reference, gjatë ditës dhë natës për vitin 2019, për të kuptuar se sa është ndotja mbi normën e pranuar dhe se cilat zona janë më të zhurmshme. Ajo që bie në sy nga përpunimi i të dhënave është se zona e Bllokut, e cila pritej të kishte më shumë ndotje akustike se të tjerat, qëndron në fund të renditjes.
Zona më e zhurmshme është “Rruga e Elbasanit” me 72.59 decibel dhe zona përreth “Partizanit të Panjohur” me 71.45 decibel, ndërkohë që norma e pranuar gjatë ditës është 55 decibel. Burimi kryesor i zhurmës në këto dy zona mund të jetë qarkullimi i lartë i automjeteve, por edhe fakti që janë zona me shumë kalimtarë, duke marrë në konsideratë se “Rruga e Elbasanit” gjatë ditë është një zonë që frekuentohet nga një numër i madh studentësh. Zonat me nivelin më të ulët të ndotjes akustike gjatë ditës janë zonat pranë Shkollës “Edit Durham” me 60.95 dB, “Shkollës së Bashkuar” me 61.7 dB , “Farmacia 10” me 63.93 dB dhe “Blloku” me 64.22 dB. Edhe pse këto zona kanë ndotjen më të ulët krahasuar me të tjerat, përseri ato janë shumë lart normës së pranuar.
“Lapraka” dhe “Kryqëzimi i 21 Dhjetorit” janë zonat më të zhurmshme gjatë natës, përkatësisht me 62 dB dhe 69.99 dB, ndërkohë që norma e pranuar gjatë natës, sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, është 45 dB. Sa i përket zonave që kanë regjistuar ndotjen më të ulët akustike gjatë natës janë “Selvia” me 52.27 dhe “Drejtoria e Policisë” me 54.42 dB.
Cilat janë lagjet më të preferuara të Tiranës? “Unaza e re”, “Farka” dhe “ish-kinemaja”! “Kombinati” “zbrazet”
Po pavarësisht të gjitha këtye të dhënave që përmendëm më lart, cilat janë lagjet më të preferuara të Tiranës? “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e Open Data, Bashkia Tiranë, sa i përket e lëvizjes së popullsisë sipas njësive administrative të Tiranës gjatë vitit 2019. Bilanci i lëvizjeve llogaritet si diferencë e regjistrimeve të reja në gjendjen civile minus numrin e ç`regjistrimeve të kryera, pra diferenca mes të ardhurve dhe të larguarve nga ajo “lagje”.
Nga analiza e të dhënave shohim se Njësia Kashar dhe Njësia Farkë janë dy njësitë me numrin më të lartë të të ardhurve. Në njësinë Kashar regjistrohen 8005 individë të ardhur, ndërsa në njësinë e Farkës regjistrohen 2730 individë të ardhur. Njësia Kashar, një ndër njësitë e reja administrative të shtuara në Tiranë, pas reformës territorial, është ajo që përfshin zonën e njohur ndryshe si “Unaza e re”, apo “Astiri”, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në një prej lagjeve më të mëdha të Tiranës. Zona e Farkës ndërkohë, gjatë viteve të fundit, gjë që e vërtetojnë edhe shifrat e 2019-ës ka njohur një rritje të madhe të ndërtesave rezidenciale, kryesisht luksoze.
Ndër njësitë e vjetra të Tiranës ndërkohë ajo me numrin më të lartë të të ardhurve rezulton njësia numër 9, zona pranë fakultetit të shkencave të natyrës, e ndjekur nga njësia numër 7, njohur ndryshe si zona përreth 21 dhjetorit. Në vend të tretë kemi njësinë numër 5, Tirana e Re. Numrin më të vogël të të ardhurve e shohim në njësitë Zall Bastar, Shëngjergj, Bërzhitë dhe Krrabë. Njësia numër 10, e njohur ndryshe si zona pranë “M.Shyri” është ajo më pak e preferuara për të jetuar në Tiranë për vitin 2019, ndër lagjet tradicionale, dhe ndiqet nga “Selvia”, njësia numër 8.
Nga përpunimi i të dhënave mbi numrin e të larguarve nga Njësitë Administrative shohim se bilancin më të lartë të të larguarve gjatë vitit 2019 e regjistron njësia numër 6, ajo e Kombinatit, me një shifër 4711 të larguar, e pasuar nga njësia 5, e njohur ndryshe si Tirana e Re, me 2416 banorë, si dhe ajo e “Laprakës”, me 1933 banorë.
“Scan Intelligence Unit” ka llogaritur ndryshimet e popullsisë për secilën njësi administrative për vitin 2019 në raport me numrin total të popullsisë për atë njësi administrative. Pas “Kombinatit”, njësia numër 10, e njohur ndryshe si zona e “Myslym Shyrit” është e radhës në listën e lagjeve me tkurrjen më të madhe të popullsisë në 2019. Nga të dhënat e nxjerra shohim se raportin më pozitiv për këtë vit e regjistron Njësia e Farkës me 11.3% dhe e Kasharit me 15.5%
Nga të dhënat e përpunuara ajo që tërheq vëmendjen është rënia drastike e popullsisë në njësinë e Kombinatit. “Scan Intelligence Unit” ka parë ecurinë e kësaj njësie që nga viti 2010 deri në vitin 2019 ku vihet re një raport pozitiv i kësaj njësie përgjatë harkut kohor 2010-2018 dhe një rënie e paparashikuar në vitin 2019 me 4% në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë së kësaj njësie. Kjo rënie mund të shpjegohet me tërmetet e muajit shtator dhe nëntor të vitit 2019. Kujtojmë se zona e Kombinatit rezultoi ajo me dëmtimet më të mëdha nga tërmeti i nëntorit në kryeqytet.
Një rritje pozitive përgjatë viteve vihet re në njësinë administrative të Dajtit dhe Kasharit, sidomos gjatë vitit 2017, me një numër prej 10705 individësh në njësinë Kashar dhe një numër prej 5023 individësh në njësinë e Dajtit. Kjo mund të shpjegohet me faktin se në këto zona kohët e fundit po bëhen ndërtime të reja dhe kompekse të reja të cilat kanë tërhequr popullsinë, dhe që njihen masivisht si zona e “Astirit” dhe “Fresku”.
Sa i përket panoramës së përgjithshme, gjatë vitit 2019 për totalin e popullsisë në të gjitha njësitë, shohim se, më shumë janë të ardhur sesa të larguar, ku të ardhur regjistrohen 32 708 individë dhe të larguar regjistrohen 22 120 individë.
Roel Korkuti e Xhorxhina Deda/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.