Ku “çalon” ndërtimi? Raporti i BB/Aleksi: PDV-të dhe taksa prej 8%, problemet kryesore
Ndërtuesit konfirmojnë raportin e Bankës Botërore, “Doing Business” sa i përket burokracive për marrjen e një leje ndërtimi dhe kostove të larta në këtë sektor.
Në një intervistë për TV SCAN, Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigji Aleksi shprehet se problem kryesor janë ndërhyrjet në ligj, të cilat ia faturojnë ndërtuesve studimin e zonës dhe hartimin e Planeve të Detajuara Vendore (PDV), gjë që duhet ta bëjnë bashkitë.
Sa i përket kostove, taksa mbi infrastrukturën prej 8 për qind është ajo që rëndon më së shumti këtë biznes, ku propozohet një ndarje e saj në tre këste dhe njohje e shpenzimeve që bëhen për këtë qëllim.
Sipas raportit “Doing Business” Shqipëria është ndër vendet me performancën më të dobët në botë sa i përket rritjes së afateve për marrjen e një leje ndërtimi nga 220 ditë në 299 ditë dhe rritjes së kostove nga 3.5% e vlerës së pronës në vitin 2017, në 5.6 për qind në vitin 2018, gjë që ndikon edhe në frenimin e investimeve të huaja.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.